
Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka dalë me një deklaratë të fortë duke paralajmëruar qytetarët për një rrezik të madh ndaj themeleve kushtetuese dhe Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas Adem, qeveria dhe partnerët e saj po ndjekin një agjendë të rrezikshme, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Ai përmend shfuqizimin e Balancuesit, shkeljen e ligjit për gjuhët, reduktimin e numrit të këshilltarëve në komuna, përjashtimin e diasporës shqiptare dhe dorëzimin e Marrëveshjes së Ohrit tek figura me qëndrime antishqiptare.
“Deklaratat për rishikimin e shumicës së Badenterit nuk janë lapsus politik; janë pjesë e një skenari të qëllimshëm për të realizuar atentat mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe mbi themelet kushtetuese që garantojnë barazi dhe stabilitet në vend,” – tha Ademi.
Ai theksoi se çdo tentativë për të shfuqizuar Badenterin, shtyllën kushtetuese që mbron nga majorizimi dhe siguron funksionimin multietnik të vendit, është një tentativë për ta kthyer vendin pas – në padrejtësi dhe përjashtim.
Arbër Ademi u bëri thirrje qytetarëve që më 19 tetor të tregojnë se barazia nuk negociohet dhe Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet.
“Ky plan po realizohet nga disa pa legjitimitet që janë të gatshëm të heqin dorë nga gjithçka që ka vlerë për shtetin multietnik dhe unitar. Por këtë rrezik do ta ndalë vota e qytetarëve,” – përfundoi nënkryetari i BDI-së.



