LajmeMaqedoniTopLajm

Arben Fetai: Të dhënat për pronarët përfitues do të lidhen me prokurimin publik për të luftuar korrupsionin

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, mori pjesë sot në forumin tematik “Përdorimi i të dhënave mbi pronarët përfitues për reduktimin e korrupsionit”, i organizuar nga Qendra për Komunikime Civile me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Në fokus të diskutimit ishte transparenca mbi pronësinë përfituese si instrument konkret për parandalimin e korrupsionit, konfliktit të interesit dhe keqpërdorimit të fondeve publike.

Fetai theksoi se Regjistri i Pronarëve Përfitues tashmë ekziston, por sfida aktuale është që ai të mos mbetet vetëm një databazë pasive, por të shndërrohet në mjet aktiv në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, po punohet për ndërlidhjen e këtyre të dhënave me Sistemin Elektronik të Prokurimit Publik, si dhe me mekanizma të tjerë mbikëqyrës, me qëllim uljen e rrezikut për abuzime dhe rritjen e llogaridhënies institucionale.

Ai nënvizoi se përmirësimi i cilësisë së të dhënave, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe fuqizimi i rolit të gazetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve zbatuese janë hapa kyç për ta kthyer transparencën në veprim konkret kundër korrupsionit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, sipas Fetait, mbetet e përkushtuar ndaj kësaj qasjeje si pjesë e agjendës për qeverisje të mirë dhe integrim evropian, duke theksuar se besimi i qytetarëve ndërtohet vetëm përmes transparencës dhe llogaridhënies.

Related Articles

Back to top button
Close
Close