Takimi i Hoxhës me përfaqësuesit e MATTO-s: Investimet e gjelbra janë bazë për zhvillim të qëndrueshëm

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot zhvilloi takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Maqedoni–Turqi (MATTO), ku u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në tranzicionin e gjelbër, nxitjen e investimeve në teknologjitë e gjelbra dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Në takim u theksua se tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm një detyrim mjedisor, por edhe një mundësi zhvillimore për tërheqjen e investimeve të reja, rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive, forcimin e pavarësisë energjetike dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës.

“Kompanitë dhe sipërmarrësit turq janë pjesë e rëndësishme e komunitetit të biznesit në vend. Synojmë që njohuritë, përvoja dhe kapitali i tyre të bëhen pjesë e proceseve të modernizimit dhe transformimit të gjelbër të ekonomisë sonë. Për këtë na nevojiten dialog i hapur, partneritet dhe kushte të parashikueshme për investime”, theksoi Hoxha.

Ministri nënvizoi se synimi është ndërtimi i një sistemi ku mbrojtja e mjedisit jetësor dhe zhvillimi ekonomik plotësojnë njëri-tjetrin, duke shprehur gatishmërinë për të diskutuar nisma konkrete investuese.

Në fokus të diskutimeve ishin investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, efikasitetin energjetik, menaxhimin e mbeturinave, riciklimin, ekonominë qarkore dhe zhvillimin e teknologjive të gjelbra.

Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për përfshirjen e sektorit privat në realizimin e objektivave nacionale dhe evropiane për veprim klimatik dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit, si dhe të organizimit të aktiviteteve dhe forumeve të përbashkëta të biznesit, të dedikuara për ekonominë e gjelbër.