BotaLajme

Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani bashkojnë forcat: nënshkruajnë marrëveshje mbrojtëse

Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani do të nënshkruajnë sot një marrëveshje kyçe mbrojtëse në qytetin perëndimor saudit të Xhedës.

Takimi midis Princit të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman, Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif do të zyrtarizojë marrëveshjen, e cila synon të forcojë sigurinë rajonale pas përshkallëzimit të tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, raportoi Euronews.

Burime pranë ushtrisë dhe qeverisë saudite konfirmuan për AFP-në se marrëveshja u bë në përgjigje të përhapjes së konfliktit dhe tensioneve ushtarake në rajon. Shtysa kryesore është lufta midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila ka prekur edhe vendet e Gjirit dhe ka ndërprerë transportin detar në Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Kuq.

“Marrëveshja është diskutuar për një kohë të gjatë, por ngjarjet e fundit në rajon e kanë përshpejtuar të gjithë procesin”, tha një nga burimet, i cili kërkoi të mos identifikohej. Një burim tjetër pranë qeverisë saudite konfirmoi gjithashtu se marrëveshja do të nënshkruhej sot.

Mbërritja e udhëheqësve në Xheda
Kryeministri pakistanez Sharif dhe shefi i ushtrisë pakistaneze Asim Munir mbërritën dje në Arabinë Saudite, dhe vizita e tyre do të zgjasë deri nesër. Sipas informacioneve nga zyra e presidentit turk, Erdogan pritet të mbërrijë sot gjatë ditës.

Ministria e Jashtme e Pakistanit njoftoi se vizita do të zhvillohet nga 6 deri më 8 gusht. “Edhe pse po zhvillohet në kontekstin e tensioneve të larta në Gjirin Persik, kjo vizitë ka një rëndësi që shkon përtej krizës aktuale dhe konsideratave afatshkurtra”, tha dje zëdhënësi i ministrisë, Tahir Andrabi.

Një aleancë e mundshme strategjike midis tre vendeve është përfolur prej muajsh. Pakistani po përpiqet të ndërmjetësojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa Turqia ka marrë një rol diplomatik në negociatat për të zgjidhur luftën në Gaza.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close