
Kina do të lëshojë anijen kozmike me astronautë “Shenzhou-20” për në stacionin hapësinor në orën 5 e 17 minuta të pasdites së të enjtes, deklaroi të mërkurën Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës (CMSA).
Anija kozmike do të niset nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it në Veriperëndim të Kinës, me rastin e Ditës së 10-të të Fluturimeve Hapësinore të Kinës.
Misioni do të kryhet nga astronautët kinezë Chen Dong, Chen Zhongrui dhe Wang Jie.
Pas hyrjes në orbitë, anija kozmike “Shenzhou-20” do të kryejë takimin dhe lidhjen e automatizuar me portën radiale të modulit bazë “Tianhe” afërsisht 6.5 orë më vonë, duke formuar një kombinim të tre anijeve kozmike dhe tre moduleve.
Gjatë qëndrimit në orbitë, ekuipazhi i “Shenzhou-20” do të presë anijen kozmike të mallrave “Tianzhou-9” dhe anijen kozmike me ekuipazh “Shenzhou-21”. Ekuipazhi i “Shenzhou-20” planifikohet të kthehet në Tokë në fund të tetorit të këtij viti.
Tre anëtarët e ekuipazhit të anijes kozmike “Shenzhou-19”, Cai Xuzhe, Song Lingdong dhe Wang Haoze, kanë qenë në orbitë për 175 ditë. Gjithçka ka funksionuar normalisht dhe tre astronautët janë në gjendje të mirë, sipas CMSA-së.
Cai ka kryer deri tani pesë ecje në hapësirë, duke u bërë astronauti kinez që ka kryer më shumë aktivitete të tilla. Song është bërë astronauti i parë kinez i lindur në vitet ’90 të shekullit të kaluar që ka bërë ecje në hapësirë, ndërsa Wang është inxhinierja e parë femër e fluturimeve hapësinore që hyn në stacionin hapësinor.



