
Anglia siguroi një fitore 2-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës 2026 në Atlanta, duke i dhënë fund një rekordi që kishte zgjatur plot 60 vjet.
Një dopietë nga Harry Kane pas pushimit për hidratim në pjesën e dytë mjaftoi për të përmbysur disavantazhin prej një goli që Anglia kishte në fund të pjesës së parë, pasi Brian Cipenga kishte kaluar në epërsi kombëtaren afrikane që në minutën e shtatë.
Sulmuesi i Bayern Munichut u bë lojtari i parë i Anglisë që shënon dy gola në një ndeshje me eliminim direkt në Kupën e Botës që nga Gary Lineker, i cili e kishte arritur këtë kundër Kamerunit në vitin 1990.
Skuadra e Thomas Tuchelit hasi vështirësi gjatë gjithë takimit, gjë që u pasqyrua edhe në vlerësimet e lojtarëve të Anglisë.
Për më tepër, mbeten pikëpyetje mbi repartin defensiv përpara përballjes me Meksikën në raundin e ardhshëm.
Tifozët nuk do të jenë të kënaqur me paraqitjen, por mbi të gjitha do të gëzohen për kualifikimin, veçanërisht në një ndeshje ku Anglia konsiderohej favorite e madhe para fillimit.
Kjo fitore me përmbysje do të hyjë në histori për disa arsye.
Për herë të parë, Anglia arriti të fitojë një ndeshje të Kupës së Botës pasi ishte në disavantazh në fund të pjesës së parë, duke i dhënë fund një serie prej nëntë ndeshjesh pa fitore në këtë situatë.
Njëkohësisht, “Tre Luanët” i dhanë fund edhe një rekordi 60-vjeçar, pasi ishte hera e parë që fitonin një ndeshje të Kupës së Botës pasi kishin pësuar gol të parët, duke ndërprerë një seri prej 13 ndeshjesh pa fitore kur kundërshtari kishte shënuar i pari në këtë turne.
Herën e fundit që Anglia kishte fituar një ndeshje në Kupën e Botës pasi kishte mbetur në disavantazh ishte finalja e vitit 1966 kundër Gjermanisë Perëndimore.
Kjo fitore ruajti gjithashtu rekordin perfekt të Anglisë ndaj kombëtareve afrikane në Kupën e Botës, pasi ajo ka fituar/nuk është mposhtur në çdo përballje kundër ekipeve nga ky kontinent.
Më parë, Anglia kishte mposhtur Kamerunin me rezultatin 3-2 në çerekfinalen e vitit 1990 dhe Senegalin me rezultatin 3-0 në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës 2022 në Katar.
Tashmë Anglia do të udhëtojë drejt Meksikës për t’u përballur me “El Tri” në stadiumin “Azteca”, një impiant ku ajo ka humbur vetëm dy herë në 88 ndeshjet e saj të fundit.



