
Ambasada turke fton për iftar Kurtin: Është thirrje për harmoni, paqe, solidaritet e mirësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi, dhe ministrat Hajrulla Çeku dhe Fikrim Damka, sonte kanë qenë të ftuar në iftarin e shtruar nga ambasada turke.
Në njoftimin e ZKM-së, thuhet se Kurti u ka uruar agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve myslimanë në këtë muaj të veçuar.
Kryeministri Kurti ishte i ftuar në iftarin e shtruar nga ambasada turke dhe Guvernatori i Edirnesë
Me ftesë të Ambasadës së Turqisë në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi, e ministrat Hajrulla Çeku dhe Fikrim Damka, ishte i ftuar sonte në iftarin e shtruar nga ambasada turke dhe Guvernatori i Edirnesë, Yunus Sezer.
“Agjërimi në muajin e Ramazanit na mëson se sakrifica është virtyt, sfidat janë mundësi dhe të mirat janë bekim. Ramazani është kohë e reflektimit. E për besimtarët myslimanë është edhe muaj i përsosjes së vetive, zakoneve, synimeve e veprave. Është thirrje për përulësi, përmirësim dhe përvetësim: përulësi ndaj tjerëve, përmirësim të vetes, dhe përvetësim të mësimeve. Për të gjithë është thirrje për harmoni, paqe, solidaritet e mirësi. Andaj, le t’i përgjigjemi kësaj thirrje çdo ditë të vitit, sikurse secilën ditë të këtij muaji”, u shpreh kryeministri.
Teksa, falënderoi ambasadorin Angılı dhe guvernatorin e Edirnesë, Sezer për këtë iftar të shtruar me rastin e muajit të Ramazanit, kryeministri Kurti u uroi agjërim të lehtë dhe të pranuar të gjithë besimtarëve myslimanë në këtë muaj të veçuar.



