LajmeMaqedoniTopLajm

ALI AHMETI: KËTO JANË VIJAT E KUQE

Kujt ia merr mendja dhe është i përgatitur që të bëjë procese në këtë vend pa BDI-në, më duket se ka guxim të tepruar! Kështu ka deklaruar kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet e së mërkurës. Duke folur për Tv Klan Maqedoni, zoti Ahmeti la të kuptohet se nuk ka për të hequr dorë nga kërkesa që kryeministri i ri të jetë shqiptar edhe me çmimin e kalimit të partisë së tij në opozitë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti,dhe partia e tij, të mërkurën, kanë korrur një ndër fitoret më të mëdha, në përgjithësi, në të gjitha ciklet zgjedhore, nga viti 2002 e këtej. Kjo për shkak se si kurrë ndonjë herë më parë, gjatë muajve të fundit, Ai dhe BDI, ishin në epiqendër të kritikave e besa edhe të akuzave, si nga opozita shqiptare, ashtu dhe nga pozitë-opozita maqedonase. Oponentët e tij politik shqiptarë, kur është fjala për arritjet e tre viteve të shkuara, thanë e po thonë se merita u përket atyre, partnerët maqedonas në ekzekutiv – rrahin gjoks se janë ata të cilët u dhanë udhë problemeve, ndërsa për dështimet, edhe të parët, edhe të dytët, por edhe opozita maqedonase, nuk kanë hezituar të drejtojnë gishtin pikërisht nga zoti Ahmeti. Këtë e pranoi edhe vet i pari i integristëve, mesnatën e së mërkurës, në studion e Televizionit Klan:

‘Po, të gjithë kanë qenë kundër, por nuk ishin kundër shqiptarët!’ – tha Ahmeti pa fshehur kënaqësinë që opozita, as në këto zgjedhje, nuk ia doli që ta spostojë nga froni i liderit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

BDI me 15 deputetë e vet është bërë faktori përcaktuas për krijimin e mazhorancës së legjislaturës së re, pra edhe për krijimin e qeverisë që do të duhet t’i prijë vendit në një periudhë aspak të lehtë të përballjes me pandeminë e koronavirusit, të çuarjes përpara të procesit të integrimit në familjen evropiane, por edhe të vendosjes së shtetit të së drejtës dhe përfundimisht kur njerëzit e zakonshëm presin përmirësimin e cilësisë së jetesës.Mirëpo, në këtë rrafsh, objektivi i zotit Ahmeti për një kryeministër shqiptar, duket se ka për të qenë një kafshatë goxha e madhe dhe pse, jo, edhe vështirë e kapërdishme për palën maqedonase. Përkundër kësaj, ai përmend ato që i quan ‘vija të kuqe’ për bashkëpunimin eventual:

‘Sigurisht, unë po i riafirmoj vijat e kuqe, nuk ka kthim pas: Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja për Fiqnjësi të Mirë (me Bullgarinë) vettingu, dhe Kryeministri shqiptar,’

tha për TV Klan Maqedoni kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, duke siguruar se nuk do të hiqet dorë nga kjo ofertë e fundit që nëse nuk pranohet mund ta çojë këtë forcë politike në opozitë:

‘Kujt ia merr mendja dhe është i përgatitur që të bëjë procese në këtë vend pa BDI-në, më duket se ga guxim të tepruar!Të gjitha palët duhet t’i ulin tensionet, t’i lënë prapa emocionet dhe foklorizmat dhe të gjithë të mendojmë bashkarisht se si t’i çojmë proceset përpara!’ – thotë Ahmeti. Ndërkaq, i pyetur se a mund të ketë kompromis lidhur me këtë, ai përgjigjet – po me pyetje: ‘Po a vetëm unë duhet të bëj kompromise? Nuk ka kompromis të njëanshëm. Të dyja palët duhet të bëjnë kompromise’- ka thënë Ali Ahmeti për TV Klan Maqedoni./KlanMacedonia

Related Articles

Back to top button
Close
Close