LajmeMaqedoniTopLajm

Aleanca për Shqiptarët zgjedh Eroll Abdiun në krye të degës në Dollnen, Taravari: Uniteti, më i domosdoshëm se kurrë

Aleanca për Shqiptarët ka vazhduar procesin e ristrukturimit të degëve të saj, duke zhvilluar sonte kuvendin zgjedhor në Dollnen, ku me votë unanime është zgjedhur kryetari i ri i degës, Eroll Abdiu, së bashku me kryesinë e re.

Në kuvend morën pjesë një numër i madh i anëtarëve dhe aktivistëve të partisë, ndërsa procesi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe uniteti.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në fjalën e tij theksoi se në rrethanat aktuale, kur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve përballen me sfida të vazhdueshme, mobilizimi, uniteti dhe angazhimi i çdo anëtari janë më të domosdoshme se kurrë.

“Vetëm përmes veprimit të përbashkët, përgjegjësisë dhe përkushtimit mund të mbrohen dhe avancohen interesat kombëtare”, ishte mesazhi i Taravarit.

Nga Aleanca për Shqiptarët vlerësuan se edhe ky kuvend zgjedhor, njësoj si kuvendet e mëparshme, u karakterizua nga pjesëmarrje e gjerë e anëtarësisë dhe frymë bashkëpunimi.

Partia ritheksoi se vazhdon të mbetet “shtëpia politike e çdo shqiptari që beson në dinjitetin, barazinë dhe fuqizimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, duke theksuar se dyert e saj mbeten të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close