
Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion njoftoi pasditen e sotme se është në zhvillim e sipër një aksion me Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjatë të cilit po kryhen bastisje në disa lokacione në Maqedoni, po mblidhen prova, po konfiskohen sende dhe po arrestohen persona për krime financiare të përmasave të mëdha. Megjithatë, njoftimi i paralajmëruar nuk u publikua, pasi bastisjet ende po vazhdojnë, shkruan Top24
“Me urdhër të prokurorit kompetent, po kryhen bastisje në disa lokacione në mbarë vendin dhe po sigurohen persona të dyshuar për bashkim kriminal, pastrim parash, mashtrim tatimor dhe shmangie tatimore në përmasa të mëdha”, është i vetmi informacion lidhur me aksionin më të ri.
Detajet për aksionin, krimet e kryera dhe personat e arrestuar do të bëhen publike nesër, të premten.
Jozyrtarisht, këtë herë nuk ka emra të njohur nga biznesi, politika apo vetëqeverisja lokale në mesin e të arrestuarve për krimin e madh financiar me të cilin është dëmtuar shteti. Si edhe më parë, me shumë gjasë po arrestohen edhe të punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP), pa të cilët, siç duket, kompanitë dhe individët nuk mund t’i kryejnë këto vepra penale.Top24



