
Nga Kongresi i BDI-së, Ahmeti propozon mekanizma konkretë kundër majorizimit dhe për forcimin e kohezionit shoqëror
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në fjalimin e tij në Kongres, theksoi se shteti nuk mund dhe nuk duhet të funksionojë mbi logjikën e majorizimit, por vetëm përmes konsensusit, respektit të ndërsjellë dhe mirëbesimit të të gjitha komuniteteve që jetojnë në të.Shkruan Top24
Sipas Ahmetit, stabiliteti dhe funksionaliteti i shtetit ndërtohen vetëm atëherë kur të gjithë qytetarët ndihen të përfaqësuar realisht dhe të përfshirë në proceset vendimmarrëse. Në këtë drejtim, ai prezantoi një sërë masash konkrete që synojnë garantimin e përfaqësimit të drejtë, barazisë funksionale dhe kohezionit shoqëror, në përputhje me frymën dhe parimet e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Si masë të parë, Ahmeti propozoi që formimi i qeverisë dhe ushtrimi i pushtetit ekzekutiv të mos mbështeten vetëm në shumicën e përgjithshme parlamentare, por edhe në shumicën e deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë. Sipas tij, një mekanizëm i tillë do të siguronte qeverisje gjithëpërfshirëse dhe përfaqësim të barabartë për të gjithë qytetarët, duke forcuar kohezionin shoqëror në nivelet më të larta të vendimmarrjes.
Në vijim, lideri i BDI-së kërkoi zbatim të plotë dhe të paprekshëm të parimit të shumicës së dyfishtë, si një mekanizëm kushtetues mbrojtës për të drejtat e komuniteteve jo-shumicë. Ai theksoi se ligjet e miratuara me këtë parim nuk duhet të kontestohen dhe as të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese pa respektimin e të njëjtit standard vendimmarrës, duke paralajmëruar se çdo anashkalim i konsensusit rrezikon integritetin e sistemit ligjor dhe besimin në drejtësi.
Si pikë të tretë, Ahmeti propozoi thellimin e decentralizimit dhe forcimin e vetëqeverisjes lokale, përmes një faze të re të decentralizimit funksional dhe fiskal. Ai kërkoi transferim më të gjerë të kompetencave në fushat e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit lokal dhe administrimit të pasurive publike, si dhe pavarësi më të madhe financiare për komunat përmes të drejtës për mbledhjen dhe menaxhimin e tatimeve dhe taksave aty ku krijohen.
Fjalimi i Ahmetit u fokusua në nevojën për qeverisje gjithëpërfshirëse, respekt të ndërsjellë dhe mekanizma të qëndrueshëm institucionalë, si parakushte për stabilitet afatgjatë dhe funksionim të barabartë të shtetit. Shkruan Top24



