LajmeRajon

AGK-ja i kërkon presidentes Osmani qëndrim publik lidhur me Ligjin për KPM-në

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të dalë me qëndrim publik lidhur me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave i cili miratua javën e kaluar në Kuvend.

Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligji nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Europës.

“AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve”- thuhet në njoftim.

Sipas AGK-së, mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht.

“Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”- thuhet në reagimin e AGK-së.

Me 59 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 11.07.2024, Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

Për këtë projektligj deputetët nga LVV, Dimal Basha dhe Eman Rrahmani kanë abstenuar.

Ndërkaq, deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK nuk kanë qenë të pranishëm në sallë kur është votuar ky projektligj.

Organizata të shoqërisë civile në fushën e medias dhe aktivistë kanë pasur një mal me kërkesa dhe komente në lidhje me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndryshimet e propozuara në Ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) i ka quajtur përpjekje të Qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.

Ligji parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online obligohen t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim, respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close