
Agim Shemshiu është emëruar në pozitën e Komandantit të Policisë së Trafikut Rrugor në kuadër të SPB Kumanovë, një detyrë që ai e ka cilësuar si përgjegjësi të madhe dhe besim të rëndësishëm institucional.
Përmes një njoftimi publik, Shemshiu ka shprehur mirënjohjen për emërimin, duke theksuar se kjo pozitë përbën motivim shtesë për të dhënë maksimumin në shërbim të qytetarëve.
“Jam shumë mirënjohës për këtë mundësi dhe për besimin që më është dhënë në pozitën e re si Komandant i Policisë së Trafikut Rrugor. Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua dhe një motivim i fortë për të dhënë më të mirën nga vetja”, ka deklaruar ai.
Ai është zotuar se detyrën e re do ta ushtrojë me përkushtim, ndershmëri dhe profesionalizëm, duke vënë theksin te puna e vazhdueshme dhe përfaqësimi dinjitoz i institucionit.
Shemshiu ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij profesional, duke nënvizuar se përvoja shumëvjeçare, sakrificat dhe sfidat e kaluara e kanë forcuar për përgjegjësitë e reja.
“Besoj në Zot, në familje dhe në punën e ndershme. Me vullnet dhe përpjekje, jam i bindur se do të arrijmë rezultate pozitive dhe suksese të reja, pa zhgënjyer ata që na besuan këtë detyrë”, është shprehur ai.
Në fund të mesazhit të tij, Komandanti i ri ka theksuar se do të jetë në shërbim të qytetarëve, duke e cilësuar këtë angazhim si mision në të mirë të komunitetit. (INA)



