
Aktivitetet politike të pjesëtarëve të administratës shtetërore gjatë orarit të punës përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë ligjore në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, të martën në mesditë, në një aktivitet politik të mbajtur në tregun e qytetit të Gostivarit, janë parë disa administratorë të punësuar në institucione shtetërore duke shoqëruar kandidatin e VLEN-it.
Sipas pamjeve dhe dëshmive nga vendngjarja, në mesin e tyre kanë qenë Gjilgjiz Sulejmani, i punësuar në Spitalin e Gostivarit, dhe Feride Sinani, e punësuar në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar – të dyja institucione që aktualisht drejtohen nga kuadro të VLEN-it.
Prania e tyre në një aktivitet politik gjatë orarit zyrtar të punës, sipas të gjitha gjasave, është bërë me pëlqim ose rekomandim të drejtuesve institucionalë, pasi në rrjetet sociale janë vetë drejtorët që kanë reaguar me pëlqime në fotografitë e publikuara nga ky tubim.
Ky rast konsiderohet shembull eklatant i keqpërdorimit të institucioneve publike për qëllime politike, ndërsa organizatat monitoruese presin reagim nga organet kompetente të shtetit. Rastet e tilla, sipas burimeve, po raportohen edhe pranë OSBE-së, e cila është vëzhguese e akredituar e procesit zgjedhor.
Sipas Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore dhe Ligjit për nëpunësit administrativë, administratorët janë të detyruar të respektojnë paanshmërinë institucionale dhe të shmangin çdo aktivitet politik gjatë orarit të punës që mund të krijojë përshtypjen e përkatësisë partiake ose të përdorimit të pozitës për propagandë.
Shkelje të tilla përbëjnë kundërvajtje disiplinore, që mund të ndëshkohen me masa administrative, përfshirë edhe largim nga puna.
Ligji është i qartë: nëpunësit shtetërorë mund të angazhohen politikisht vetëm jashtë orarit të punës, në mënyrë që të mos komprometohet neutraliteti i administratës dhe besimi publik në institucionet shtetërore.



