
Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka kritikuar ashpër forcat politike që aktualisht udhëheqin vendin, duke i akuzuar për ndjekje të politikave që, sipas tij, sjellin “revizionizëm për statusin e shqiptarëve” dhe e kthejnë shtetin dekada prapa.
“Sot, forcat që udhëheqin vendin po ndjekin politika që sjellin revizionizëm për statusin e shqiptarëve, duke e kthyer shtetin 30 vjet pas. Kur BDI reagon ndaj këtyre prirjeve, kjo paraqitet si politikë e BDI-së”, ka deklaruar Ademi.
Ai ka theksuar se vizioni i kësaj qeverie për të ardhmen është i rrezikshëm për shqiptarët në vend. “E ardhmja, sipas mendësisë së kësaj qeverie, është me shqiptarë të asimiluar politikisht dhe pa dinjitet në këtë shtet, por si vazalë dhe puthadorë”, ka shtuar ai.




