
Avokati dhe politikani i ri në skenën politike Abelardo de la Espriella bëri të premten betimin si president i Kolumbisë, gjatë një ceremonie në qytetin jugperëndimor të Kalit.
Ceremonia, e zhvilluar jashtë kryeqytetit Bogota, thyen për herë të parë pas më shumë se një shekulli traditën.
Inaugurimi shënon një kthesë të fortë ideologjike për Kolumbinë, pasi De la Espriella pason Gustavo Petron, mandati katërvjeçar i të cilit përfundoi në një klimë të polarizimit të thelluar politik dhe vështirësive ekonomike.
Ndryshe nga betimi tradicional në sheshin historik Plaza de Bolivar në Bogota, ceremonia u zhvillua në Arena USC, brenda Universitetit Santiago de Cali.
Zgjedhja e lokacionit erdhi pas disa javësh debatesh të ashpra institucionale mes administratës në largim dhe asaj të ardhshme. Fillimisht, De la Espriella propozoi të bënte betimin në një bazë ushtarake në departamentin fqinj Kaukas, të goditur nga konflikti, si homazh për forcat e armatosura të Kolumbisë. Petro, megjithatë, e kundërshtoi fuqishëm këtë propozim, duke këmbëngulur se bazat ushtarake nuk mund të shërbejnë si vendngjarje për një ceremoni politike të inaugurimit për sa kohë ai mban postin e komandantit të përgjithshëm.
Pas miratimit nga Kongresi për zhvendosjen e ceremonisë, De la Espriella zgjodhi Kalin, kryeqytetin e departamentit Valle del Cauca, duke e paraqitur vendimin si angazhim për decentralizimin administrativ dhe sigurinë rajonale. Si gjest në drejtim të forcave të armatosura, De la Espriella planifikoi aktin e tij të parë zyrtar si president në bazën ajrore Marco Fidel Suarez në Kali, menjëherë pas inaugurimit.
Ceremonia tërhoqi një përfaqësim të konsiderueshëm ndërkombëtar, veçanërisht nga liderë konservatorë të Amerikave dhe Evropës. Ndër krerë shtetesh dhe personalitetesh të larta të pranishme ishin Mbreti Felipe VI i Spanjës, presidenti i Argjentinës Javier Milei, presidenti i Ekuadorit Daniel Noboa, presidenti i Paraguait Santiago Pena, presidentja e zgjedhur e Kosta Rikës Laura Fernandez, presidenti i Panamasë Jose Raul Mulino, presidenti i Republikës Dominikane Luis Abinader dhe ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së Todd Blanche, i cili kryesonte një delegacion të nivelit të lartë amerikan të sigurisë dhe diplomacisë.
Mes mungesave të spikatura ishte Petro, i cili theu traditën duke zgjedhur të mos merrte pjesë në ceremoni. Ndërkohë, ligjvënësit e koalicionit të Petros, Pacto Historico, bojkotuan inaugurimin dhe organizuan protesta në qytete të mëdha, përfshirë Kalin.



