
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës e ka kritikuar ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, për kontratat njëburimore të nënshkruara pa procedura të tenderimit. Tahiri i tha Aliut se në ministrinë të cilën ai e udhëheq, në fakt ministër është zëvendësministri Hysen Durmishi.
Tahiri deklaroi se ministri Aliu është shndërruar në fytyrën më të urryer te qytetarët, pas rastit me tiketat ngjitëse për vetura, në vlerë prej 5 eurove.
“Njeri duhet me qenë në njëfarë zori t’madh me folë dhe mos me e pas guximin me nejt në seancë. Me i bë nja 28 kontrata njëburimore pa procedura të tenderimit, qysh i ka bë Liburn Aliu, pasha Zotin mos qofsha në lëkurë të tij, nuk ka më rënd, sepse normalisht e pret me të ardhë me të kërsitë prokuroria e policia te dera. Në anën tjetër, me ua zënë dorën në xhep qytetarëve qysh ua keni zënë me taksën prej 5 eurove, s’ka faj, sepse është shndërrua në fytyrën më të urryer prej qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.



