
Në selinë e LDK-së sot janë dorëzuar 148 nënshkrime të paraverifikuara për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, ku kërkohet edhe shkarkimi i kryetarit Lumir Abdixhiku.
E lidhur me këtë kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të LDK-së që të nisë menjëherë procedurat për organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, duke theksuar se procesi do të zhvillohet në përputhje me rregullat dhe procedurat e partisë.
Pas certifikimit të plotë të nënshkrimeve, sipas tij, do të caktohet pa vonesë data dhe vendi i mbajtjes së kuvendit, ku delegatët do të kenë mundësinë të shprehin qëndrimin e tyre përmes votës.
Kreu i LDK-së ka deklaruar se nuk do t’i shmanget asnjë procesi demokratik dhe se nuk do të qëndrojë në një detyrë nëse shumica e anëtarësisë vendos ndryshe.
Ai ka njoftuar gjithashtu se për shkak të kësaj nisme do të ndërpresë angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës, deri në përfundimin e procesit të brendshëm politik në LDK.
“ LDK ka qenë dhe duhet të mbetet shtëpi e demokracisë. Prandaj nuk do t’i shmangem asnjë procesi demokratik. Nuk do t’i iki asnjë vote dhe nuk do ta mbajë asnjë detyrë kunder vullnetit të shumicës. Në këtë pikë me duhet t’i njoftoj qytetarët se për shkak të ksëaj nisme detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Rpublikë”, ka thënë Abdixhiku.



