LajmeRajon

AAK-ja pezullon zgjedhjet e brendshme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur të pezullojë zgjedhjet e brendshme në të gjitha nivelet e organizimit deri pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm, ku janë diskutuar hapat e partisë në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Një nga vendimet kryesore ishte pezullimi i zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e organizimit. “Pas një diskutimi të gjerë dhe përmbajtësor, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm unanimisht votuan për pezullimin e procesit të brendshëm zgjedhor, me qëllim që strukturat e Aleancës të përqendrohen në procesin zgjedhor nacional”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Sipas njoftimit, pezullimi do të jetë në fuqi deri në dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Në mbledhje është diskutuar edhe plani zgjedhor, përfshirë listën, programin dhe organizimin e strukturave të fushatës.

Po ashtu, Këshilli i Përgjithshëm ka vendosur për themelimin e Shtabit Qendror Zgjedhor të partisë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës. Në krye të shtabit është emëruar nënkryetari i parë i AAK-së, Ardian Gjini. “Shtabi do të përbëhet nga anëtarët e Komisionit për organizimin dhe koordinimin e zgjedhjeve të brendshme”, thuhet më tej në njoftim.

Related Articles

Back to top button
Close
Close