
Mos dekretimi i ligjit për mbrojtje të fëmijëve për shkak të gjuhës shqipe nga ana e presidentes është bërë tema kryesore në vend tashmë një javë.
Mediat kanë zbuluar edhe nenet të cilat janë të “papranueshme” për presidenten dhe për shkak të së cilës presidentja Siljanovksa nuk e ka nënshkruan ligjin në fjalë.
Ja çfarë thonë disa nga nenet që janë problematike për presidenten.
Neni 9, Paragrafi (4) ndryshohet si vijon: “(4) Licenca e punës është dokument publik dhe lëshohet në dy kopje, njëra prej të cilave është për aplikantin dhe kopja tjetër i mbetet ministrisë. Licenca e punës lëshohet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj.
Problematike për Siljanovskën është edhe neni 10 që thotë:
Neni 10
Në nenin 177-b paragrafi (2) ndryshohet si vijon:
“(2) Pjesa e parë e provimit nga paragrafi (1) i këtij neni jepet në mënyrë elektronike, në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shkrimi i saj, duke iu përgjigjur një numri të caktuar të pyetjeve të testit elektronik në kompjuter.
Pas paragrafit (3), shtohen dy paragrafë të rinj (4) dhe (5), të cilët thonë:
,,(4) Me përjashtim nga paragrafi (2) i këtij neni, në rast se sistemi i vetëm elektronik për dhënien e provimit profesional për marrjen e licencës së punës nuk është në funksion dhe për shkak të urgjencës që të mos vijë deri te pengesa në vazhdimësinë e procesit të licencimit, provimi nga paragrafi (1) i këtij neni bëhet me shkrim, në letër, në gjuhën maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shkrimi i saj. Neni (5) Mënyrën e dhënies së provimit nga paragrafët (2) dhe (4) të këtij neni e përcakton ministri.
Ndryshe, presidentja Gordana Siljanovska Dafkova në paraqitjen e sajë të fundit ka kërkuar të shqyrtohen dy nenet e lartë-përmendura. Ajo gjithashtu ka kërkuar që edhe njëherë të mendohet nëse kjo mënyrë e dhënies së provimit dhe marrje e licencës nuk do të lë hapësirë për autorizim diskrecional. Megjithatë, shtoi se nuk ka përdorur veto dhe nuk është kundër asnjë gjuhe dhe komuniteti dhe se fjalën e fundit për këtë e kanë vet deputetët e Kuvendit.



