
Kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, pret të shihet se çfarë do të ndodhë të martën, kur, siç paralajmëroi edhe kryeministri Hristijan Mickoski, Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së do të vendosë për emrat që do të përfshihen në rikonstruimin e Qeverisë. Dimitrievski, i cili në aktivitetin e sotëm të partisë erdhi së bashku me dy ministrat e tij, ministrin e Administratës Publike Goran Minçev dhe ministrin e Drejtësisë Igor Filkov, tha se është i kënaqur me punën e tyre. Megjithatë, ai nuk tregoi nëse për të është e pranueshme që ZNAM ta lëshojë dikasterin e Drejtësisë në këmbim të Bujqësisë, edhe pse ata kanë insistuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Financave ose Mbrojtjes.
“Ende nuk ka propozime të tilla në tavolinë, prandaj nuk do të doja të spekuloja. Kur negocioni në politikë, të gjitha opsionet janë në tavolinë. Ka shumë propozime, shumë mendime, individuale dhe partiake, por them të presim që të arrihet marrëveshja përfundimtare. Shumë oferta janë në tavolinë, do të numërojmë deri në tre dhe më pas do të vendosim. Epilogu përfundimtar do të dihet të martën”, tha Maksim Dimitrievski,
Për LSDM-në, negociatat e ZNAM-it për rikonstruimin e Qeverisë shihen si një betejë për poste dhe interesa personale.
Sipas informacioneve jozyrtare, kryeministri Mickoski planifikon ndryshime në dikasteret e Drejtësisë, Kulturës, Shëndetësisë dhe Bujqësisë, si dhe ndryshim të resorëve mes partnerëve të koalicionit.
Nga radhët e VLEN-it tashmë një kohë më të gjatë flitet për largimin e ministrit të Politikës Sociale, Fatmir Limani, si dhe ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili dje, në pyetjen nëse do të shkarkohet, tha se për të funksionet nuk janë prioritet.
Me rikonstruimin e Qeverisë planifikohen edhe ndryshime të caktuara të resorëve mes partnerëve të koalicionit



