LajmeMaqedoniTopLajm

A do të kemi “Përzhino etnike”?

Liderët e dy partive politike maqedonase, Zoran Zaevi dhe Hristijan Mickoski janë zotuar që pas zgjedhjeve të 15 korrikut të shfuqizojnë Ligjin e Përzhinos, i cili mundëson formimin e Qeverisë teknike, 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare. Ndërkohë edhe partitë politike shqiptare – BDI dhe ASH thonë se Qeveria teknike LSDM-VMRO ka dështuar. Madje, BDI e Ali Ahmetit kërkon që Ligji për Qeveri teknike të transformohet në “Përzhino etnike”

Jo vetëm Prokuroria Speciale (PSP) e cila përfundoi misionin e saj me fund të dështuar, por dhe ligji i “Përzhinos” i cili mundëson formimin e qeverisë teknike 100 ditë para çdo cikli zgjedhor, pritet që pas zgjedhjeve të 15 korrikut të shfuqizohet, ose të transformohet në “Përzhino etnike”, ashtu siç kërkon BDI-ja e Ali Ahmetit. Se Qeverisë teknike sipas modelit të Përzhinos po i vjen koha që të shkojë në histori, për shkak të mënyrës së funksionimit të saj e paralajmëruan dy liderët e partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski. Ndërkohë partitë shqiptare kanë opsionet e tyre lidhur me ligjin e Përzhinos dhe funksionimin e mëtejmë të ligjit në fjalë pas 15 korrikut. Liderët e dy partive më të mëdha maqedonas, LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, në debatin e tyre televiziv për zgjedhjet e 15 korrikut janë zotuar se pas zgjedhjeve pavarësisht se cili fiton shumicën për të bërë Qeverinë e ardhshme të Maqedonisë, do të shfuqizojnë ligjin e Përzhinos.

“Nuk duhet të ekzistojë Qeveria sipas modelit të Përzhinos. Tash është mirë të thuhet kjo. Disa herë e kam theksuar qëndrimin tim se nuk duhet të ketë më Qeveri të Përzhinos”, ka deklaruar Zaev, duke u zotuar se pas zgjedhjeve do të shfuqizojë po të njëjtin ligji. Ai madje publikisht kërkojë edhe nga kreu i opozitës maqedonase Mickoski që të deklarohet nëse është pro shfuqizimit. Edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, konfirmojë dhe u zotua se cilido që fiton zgjedhjet është i gatshëm të mbështes shfuqizimin e ligjit i cili mundëson formimin e Qeverisë teknike. “Qeverinë sipas modelit të Përzhinos, unë edhe atëherë kur u arrit marrëveshja në vitin 2016, kam thënë se nuk duhet të ekzistojë. Absolutisht nuk kam asnjë problem që të mos ketë më Qeveri sipas modelit të Përzhinos”, ka deklaruar Mickoski.

Zyrtari i lartë i BDI-së, Bujar Osmani i pyetur nga gazeta KOHA për këtë zotim të liderëve maqedonas, theksoi se partia e tij angazhohet që Përzhino të transformohet në “Përzhino etnike” pas zgjedhjeve të 15 korrikut. “Sa i takon Përzhinos, një nga zotimet kryesore të platformës së Kryeministrit shqiptar është që Perzhino të transformohet në Përzhino etnike, që do të thotë se në dhjetëra institucione strategjike të vendit të ketë nënshkrime të lidhura mes një udhëheqësi shqiptar dhe një udhëheqësi maqedonas për të ndarë përgjegjësitë. Nëse mes dy partive kemi krijuar ligj për të krijuar mirëbesim për shkak se ato nuk paskan besuar njëri tjetrin, si mund të mos kemi mirëbesim ashtu mes dy etnive më të mëdha në vend. Prandaj Koncepti ynë është që në mandatin e ardhshëm Përzhinoja të transferohet në Përzhino etnike, që do të thotë se dhjetëra institucione që garantojnë zhvillimin e barabartë të vendit do të kenë dy udhëheqës – një maqedonas, një shqiptar me nënshkrim të lidhur me përgjegjësi të barabarta”, deklaroi Osmani. Ai madje shtoi, se pas 15 korrikut, Ali Ahmeti do t’i pret dy liderët maqedonas që t’i sjellin ofertat e tyre për kryeministrin e parë shqiptar.

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës thonë se Qeveria teknike LSDM-BDI-VMRO ka dështuar njëjtë si qeveria politike paraprake e tyre. “Si me pandeminë ashtu edhe me përgatitjen e vendit për zgjedhjet e parakohshme, Qeveria teknike ka nxjerr në pah edhe të metat e saja, tani qe ka përjashtuar opozitën shqiptare, përfshirë vetëm atë maqedonase. Në të ardhmen o duhet korrigjuar ky gabim ose duhet te zhbëhet dhe të hiqet Qeveria Teknike nga Kushtetuta. Në vend të Qeverisë teknike duhet të krijohen mekanizma politik në institucionet që përgatisin vendin për zgjedhje që të ketë konsensus politik te plotë, si dhe në këto institucione të ketë anëtar të partive më të mëdha të pozitës dhe opozitës (asaj maqedonase dhe shqiptare)”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.

Opinionisti Ljubisha Cvetkoski vlerëson se Qeveria sipas modelit të Përzhinos e ka kryer misionin e saj, dhe se në të ardhmen u takon të zgjedhurve të popullit që të vendosin për fatin e ligjit që garanton formimin e saj. “Vlerësoj se Qeveria teknike, sipas modelit të Përzhinos e ka bërë të veten. Në të ardhmen u takon të zgjedhurve të popullit, që të merren me këtë çështje, të angazhohen më shumë, dhe në vend se ligjet kyçe të dalin nga takimet e liderëve ti hartojnë dhe votojnë ata vet”, shprehet Cvetkoski. Ndryshe, Ligji i Përzhinos i cili parasheh formimin e Qeverisë teknike, ishte arritur me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtar, që të garantojë zgjedhje të lira, të pranueshme nga të gjitha partitë.


Related Articles

Back to top button
Close
Close