
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, ka reaguar pas vendimit gjyqësor në rastin “Talir 2”, me të cilin kërkohet që të konfiskohet selia kryesore e partisë së tij në Shkup dhe 30 seli të tjera partiak mbarë vendit. Mickoski këtë vendim e quan vendim politik.
Ai u shpreh se megjithatë ky vendim gjyqësor nuk do t’i dekurajoj ato, por përkundrazi do t’i motivoj për të luftuar kundër këtij gjyqësori dhe prokurorie siç e quajnë të partizuar dhe ndaj këtyre politikanëve kriminel.
“Kjo gjykatë dhe prokurori e partizuar ka vendosur ta gjykoj VMRO-DPMNE-në. Megjithatë, nuk e gjykon VMRO-DPMNE-n, por e gjykon popullin maqedonas dhe Maqedoninë. Ne në këto 30 vite të pavarësisë së Maqedonisë, kemi kaluar nëpër shumë vështirësi, kështu që do ta kalojmë edhe këtë, sepse prona, e cila po kërkohet të konfiskohet, nuk është VMRO-DPMNE-s, por është e popullit dhe kjo gjyqësi dhe prokurori e partizuar e LSDM-së dhe BDI-së nuk mund ta gjykoj VMRO-DPMNE-në, por është duke gjykuar Maqedoninë dhe popullin maqedonas”, u shpreh ai.
Në fund Mickoski tha se ata do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësinë, do të luftojnë dhe nuk do të tërhiqen deri në fund. Ai nënvizoi se nëse dikush mendon se ky vendim gjyqësor do ta dekurajoj atë dhe VMRO-n gënjehet.



