
Sot, është dita e 56 e pushtimit rus në Ukrainë – lufta e parë tokësore në Evropë në dekada e cila nisi me 24 shkurt kur presidenti rus Vladimir Putin nisi, sipas tij, një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare dhe është përballur me zemërim në gjithë botën.
Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj këtij pushtimi.
SHBA dhe shtetet perëndimore kanë vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit t’i tërheqë forcat nga Ukraina dhe janë zotuar se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka deklaruar se intensiteti i zjarrit nga trupat ruse drejt Kharkivit, Donbasit dhe Dnipros është “rritur ndjeshëm”, një ditë pasi Kremlini nisi ofensivën e tij të shumëpritur në Ukrainën lindore. Zyrtarët rusë thanë se gjithsej 1260 objektiva ushtarakë u goditën nga raketa dhe artileri përgjatë vijës së frontit 480 kilometërshe në rajonet Donbas dhe Kharkiv.
Zelenski ka shtuar se situata në qytetin e rrethuar të Mariupolit është “jashtëzakonisht e rëndë”. “Ushtria ruse po bllokon çdo përpjekje për t’i organizuar korridoret humanitare dhe për ta shpëtuar popullin tonë”, tha Zelenskiy në fjalimin e tij të natës. “Fati i të paktën dhjetëra mijëra banorëve të Mariupolit që më parë ishin zhvendosur në territorin e kontrolluar nga Rusia nuk dihet.”
Ministria ruse e mbrojtjes tha se do të ofrojë një armëpushim në Mariupol të mërkurën për t’i lejuar mbrojtësit ukrainas të strehuar në fabrikën e çelikut Azovstal t’i dorëzojnë armët e tyre. Luftëtarët e mbështetur nga Rusia e kanë sulmuar fabrikën, sipas një citimi zyrtar pro-rus nga BBC. Autoritetet ukrainase thonë se jo më pak se 1000 civilë janë fshehur në këtë kompleks së bashku me luftëtarët ukrainas.
Forcat ruse e kanë pushtuar Kreminën në rajonin Donbas të Ukrainës lindore dhe trupat ukrainase janë tërhequr nga qyteti, tha guvernatori rajonal. Kreminna, një qytet me më shumë se 18,000 banorë rreth 560 km në juglindje të Kievit, duket të jetë qyteti i parë i pushtuar nga një ofensivë ruse në Ukrainën lindore.
Një biznesmen rus, Oleg Tinkov, ka folur kundër luftës “të çmendur” në Ukrainë dhe i përshkroi mbështetësit e veprimeve ushtarake të Moskës si “marrëza”. Në një postim në Instagram, Tinkov, i cili është sanksionuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, tha se “90% e rusëve janë kundër” luftës.
Rusia e ka rritur ofensivën e saj në Donbas, por progresi i saj është penguar nga “sfidat mjedisore, logjistike dhe teknike”, thonë zyrtarë nga Mbretëria e Bashkuar. “Paaftësia e Rusisë për ta mposhtur rezistencën në Mariupol dhe sulmet e saj pa dallim, të cilat e kanë dëmtuar popullsinë civile, janë tregues i dështimit të tyre të vazhdueshëm për t’i arritur qëllimet e tyre aq shpejt sa do të dëshironin”, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar të martën vonë.
Rusia ka vendosur deri në 20,000 mercenarë nga Siria, Libia dhe gjetkë në rajonin e Donbasit të Ukrainës, sipas një zyrtari evropian. Zyrtari në fjalë shtoi se mercenarët po dërgohen në betejë pa pajisje të rënda apo automjete të blinduara.
Në fjalimin e tij të natës, Zelenskiy pohoi “nëse Ukraina do të kishte qasje në të gjitha armët që i nevojiten dhe të cilat janë të krahasueshme me armët e përdorura nga Federata Ruse, ne tashmë do ta kishim përfunduar këtë luftë. Është e padrejtë që Ukraina është ende e detyruar të kërkojë atë që partnerët e saj kanë ruajtur diku prej vitesh.”
Presidenti amerikan, Joe Biden, do ta shpallë një paketë tjetër ndihme ushtarake për Ukrainën, afërsisht të njëjtë me atë prej 800 milionë dollarësh që presidenti amerikan e njoftoi javën e kaluar, thanë burime të shumta Reuters, e cila do t’i çonte në më shumë se 3 miliardë dollarë ndihma totale e SHBA për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë.
Rusia i ka dëbuar 31 diplomatë holandezë, belgë dhe austriakë pasi Moska po përballet me izolim të shtuar ndërkombëtar. Kjo po ndodh pasi Holanda, Belgjika dhe Austria e njoftuan dëbimin e disa diplomatëve rusë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka bërë thirrje për një pauzë humanitare katër-ditore të Pashkëve Ortodokse në luftimet në Ukrainë. Guterres tha se OKB-ja ishte e gatshme të dërgonte autokolona ndihme humanitare në Mariupol, Kherson, Donetsk dhe Luhansk duke filluar nga e enjtja e madhe dhe deri në të dielën e 24 prillit, data e Pashkëve Ortodokse, e cila festohet nga shumica e ukrainasve dhe rusëve./The Guardian



