
Papa Françesku bëri thirrje të dielën për paqe në Ukrainë gjatë kësaj “Pashke të luftës”, sic e quajti ai, teksa mbajti fjalimin tradicional ‘Urbi et Orbi’ në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Ati i shenjtë tha se ai kishte në zemër të gjithë viktimat ukrainase dhe të gjithë ata që janë ndarë nga familjet e tyre .
“Unë kam në zemrën time të gjitha viktimat ukrainase, miliona refugjatë dhe persona të zhvendosur brenda vendit, familjet e ndara, të moshuarit e lënë vetëm, jetët e thyera dhe qytetet e rrafshuara nga lufta. Unë shoh fytyrat e fëmijëve jetimë duke ikur nga lufta. Ndërsa i shohim nuk mund të mos dëgjojmë britmën e tyre të dhimbje”, u shpreh ai.
Edhe pse nuk e përmendi emrin, Papa kritikoi hapur Rusinë për futjen e Ukrainës në një konflikt që ai e quajti mizor e të pakuptimtë dhe u kërkoi udhëheqësve botërorë të përpiqen për paqen.
“Udhëheqësit e kombeve duhet ta dëgjojnë lutjen e njerëzve për paqe. Le të dëgjojnë pyetjen shqetësuese të shtruar nga shkencëtarët pothuajse shtatëdhjetë vjet më parë: A duhet t’i japim fund racës njerëzore, apo njerëzimi do të heqë dorë nga lufta? U bëftë paqe për Ukrainën e shkatërruar nga lufta, aq e sprovuar nga dhuna dhe shkatërrimi i kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë në të cilën e futën”, shtoi më tej.
Rreth 100 mijë njerëz ishin mbledhur në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit. Kjo është Pashka e parë që nga viti 2019 që publiku u lejua në shesh për të dëgjuar fjalimin e Papës, pas dy vitesh kufizime për shkak të pandemisë së COVID-19.



