
Të dhënat e regjistrimit vijnë në momentin e duhur dhe janë pikënisje për krijimin e një vizioni të ri se në ç’drejtim duhet të lëvizë dhe zhvillohet vendi ynë, porositi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
“Unë i shoh të dhënat dhe rezultatet e regjistrimit si numra në të cilët duhet të gjithë bashkërisht të punojmë. Të punojmë për të gjithë bashkëqytetarët tanë të cilët për fat të keq në këto 20 vite na kanë braktisur, që të krijojmë një të ardhme më të mirë që të kthehen, të punojmë për gjeneratat tona, që fëmijët tanë të mos largohen dhe pas 10 viteve të mos të na vijë keq që janë larguar. Dhe kjo për mua është më e rëndësishme nga rezultatet e regjistrimit”, tha Bytyqi në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve para fillimit të konferencës “Infrastruktura e nxit zhvillimin dhe mbështet aksionin klimaterik”.
Pikërisht konferencën e vlerësoi si përpjekje për t’u kthyer besimi i qytetarëve në institucione dhe në rëndësinë e shtetit për të ofruar jetë cilësore për qytetarët.
“Projektet infrastrukturore në esencë do të thonë cilësi dhe përmirësim i cilësisë së jetesës. Mendoj se gjatë periudhës së ardhshme të gjithë duhet të punojmë në rritjen e besimit se në Maqedoni mund të jetohet më mirë”, tha Bytyqi.
Potencoi se është e mirëseardhur çdo masë që duhet ta bëjë.
“Unë jam një prej atyre që në vend se të krijojmë masë për sot dëshiroj të parashoh shumë më gjatë që t’u jap njerëzve vizion më të qartë se në çfarë vendi jetojnë. Masat gjithsesi janë të mirëseardhura dhe mendoj se secili që është i hapur përmes procesit inkluziv duhet t’i japë. Vlerësoj se rezultatet e regjistrimit të djeshëm dëshmuan disa punë që mungojnë. Në këtë moment në shtet po zhvillohet procesi i krijimit të Strategjisë nacionale zhvillimore që duhet t’i japë drejtim shtetit në 10-20 vitet e ardhshme”, potencoi Bytyqi.
Rezultatet e regjistrimit, siç tha e dëshmuan edhe bukurinë e vendit tonë, ndërsa ajo është diversiteti në vendin tonë dhe sa jemi të fuqishëm.



