
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu sot takoi banorët të lagjeve të ndryshme nga Çairi të cilëve u dha lajmin e shumëpritur se janë bërë me fletë pronësi, gjegjësisht zot të shtëpive të tyre.
Siç theksohet në kumtesë, Ganiu pas ndarjes së certifikatave të pronësisë informoi se Komuna e Çairit, deri më sot ka pranuar 12.000 kërkesa për fletëpronësi, ndërsa prej tyre 9500 familje kanë marrë fletëpronësi, që e bën Komunën e Çairit tu paraprinë të gjitha komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sa i përket përgjigjes ndaj kërkesa për pronësi të shtëpisë dhe regjistrim të fletëpronësive.
“Komuna e Çairit ka arritur t’i procedoj dhe realizoj mbi 80 për qind të këtyre kërkesave dhe si e tillë konsiderohet rekordmene në këtë fushë”, deklaroi Ganiu.
Të drejtën e pronës private dhe banimit, tha Ganiu e konsiderojmë si të drejtën elementare të demokracisë dhe shtetit dhe si të tillë jemi kampion në realizimin e kësaj të drejte individuale dhe familjare.
“Komuna e Çairit ka pajisur 9500 familje me fletpronësi duke rregulluar statusin banues të këtyre familjeve dhe zgjidhjen e këtyre problemeve me rëndësi jetike. Në mandatin e ri, procesi i legalizimit dhe i fletëpronësive do jetë problem që do i takoj të shkuarës”, tha Ganiu.
E gjithë kjo arritje u mundësua në bazë të Ligjit mbi legalizimet, që krijoi mundësitë që shumica dërmuese e banorëve të Çairit të pajisen me fletë-pronësi për shtëpitë e tyre, disa nga të cilat të ndërtuara dekada më parë, tha ai duke falënderuar Sektorin për urbanizëm të komunës për punën efikase gjatë gjithë këtyre viteve.



