
Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të paraqesë para qytetarëve programet me projekte konkrete për të gjitha komunat, të bazuara në agjendën e blertë dhe pesë përbetimet e saj. Besnik Osmani, bartës i listës së kandidatëve për këshilltarë komunal në Komunën e Tearcës në konferencën e sotme për shtyp ka prezantuar programin e projektuar katërvjeçar për vazhdimësinë e zhvillimit të Tearcës.
Programi i përpiluar për zhvillimin e Tearcës dhe jetën cilësore të banorëve të saj ka në fokus përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rekonstruimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve të ujësjellësit, kanalizimit dhe ujitjes, menaxhimin e mbeturinave, gasifikimin, arsim cilësor, mbrojtje më të madhe shëndetësore dhe shumë sfera të tjera të jetës shoqërore.
Ai ftoi qytetarët që me 17 Tetor të votojnë numrin 3 dhe të rreshtohen në përkrahje të kandidatit për kryetar të komunës së Tearcës Nuhi Neziri dhe listës cilësore të kandidatëve për këshilltarë komunal.
Në vazhdim po ua përcjellim fjalimin e plotë nga konferenca e sotme për shtyp:
Të nderuar qytetar,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Mirë se erdhët në konferencën e sotme për shtyp në të cilën do të prezantojmë Programin e Bashkimit Demokratik për Integrim për Komunën e Tearcës.
Komuna e Tearcës do të vazhdojë të jetë në fokusin tonë në mandatin katër vjeçar pas fitores në në Zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor.
Një komunë e blertë ashtu siç është edhe Agjenda jonë e blertë, është vënë në prioritet tek ne, pasi që duhet të çojmë në vend amanetet dhe obligimet që kemi marrë dhe duke u përmbajtur pesë përbetimeve të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Më lejoni që në vazhdim të elaboroj në pika të shkurta disa nga projektet të cilat janë në Programin e Bashkimit Demokratik për Integrim për komunën e Tearcës. Ky Program parasheh projekte nga sfera e infrastrukturës, arsimit e shëndetësisë, mbrojtjes sociale e deri tek mjedisi jetësor, rinia, sporti, kultura e bashkëpunimi regjional .
Të dashur qytetar,
Do të ndërtojmë komunë moderne e të zhvilluar, me kompetenca më të mëdha e më tepër financa, transparente e të përgjegjshme, si dhe rajone me zhvillim të barabartë.
Buxheti komunal do të miratohet me konsultime paraprake publike me qytetarët. Do të prezantohen projektet para qytetarëve. Transparenca dhe llogaridhënia do të jenë bazë e punës sonë, me çrast do të publikohen të gjitha raportet dhe transakcionet financiare.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të angazhohet për përmirësimin e klimës së biznesit, gjë për të cilen siguron mbrojtje të investitorëve, zbatim të përpiktë të marrëveshjeve, lehtësimin e procedurave të marrjes së lejeve, regjistrimit dhe kushteve të volitshme për biznes.
Me theks të veçantë do të insistohet për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në bashkëpunim të ngushtë me institucionet tjera për të krijuar një siguri dhe vazhdimësi në investime të tilla me mjete të parapara për realizimin me sukses të projekteve të këtilla.



