
Samiti për Ballkanin Perëndimor duhet të sjellë mesazh të qartë se vendet e rajonit duhet të jenë pjesë e BE-së. Këto janë pritshmëritë e kryeministrit Zaev në prag të Samitit që do të mbahet të mërkurën në Bërdo te Kranji, ku do të marrin pjesë liderët e BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor. Sllovenia e cila deri në dhjetor do ta kryesojë Unionin kërkoi që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor deri në 2030 të pranohen në BE-në, gjë që ngjalli reagime të shumta në Bruksel.
“Atë që e pres nga Samiti i BE-së për Ballkanin perëndimor është mesazh i qartë se vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE-në, gjithsesi me të gjithë hapat që secili vend duhet t’i bëjë. Në këtë Samit nuk sillen vendime në aspekt të hapjes së kapitujve, konferencave të para ndërqeveritare ose mbylljes së kapitujve për vendet që negociohen”, tha kryeministri Zaev.
Por çfarë do të ndodhë me negociatat me Bullgarinë dhe bllokadën për hapjen e negociatave të vendit me BE-në. Edhe krahas deklaratës së kryeministrit bullgar Stefan Janev se pas përfundimit të zgjedhjeve do të vazhdojë kursi i deritanishëm në lidhje me Maqedoninë dhe se do të mbrohen interesat nacionale të Bullgarisë, Zaev u shpreh optimist se zgjidhje do të ketë. Kjo periudhë maksimalisht do të shfrytëzohet për të arritur marrëveshje, tha Zaev duke treguar tre aspekte mbi të cilat themelohet optimizmi i tij.
“Kemi lëvizje pozitive në bisedimet mes përfaqësuesve të Ministrive të punëve të jashtme, megjithatë kjo është vetëm lëvizje pozitive, shpresoj se kjo periudhë, tetor, nëntor dhe dhjetor do të shfrytëzohet maksimalisht për të punuar dhe për të gjetur zgjidhje. E tretë, është versioni draft që përgatitet në samitin evropian për Ballkanin perëndimor, për përkushtim dhe fokusim serioz të BE-së për vazhdimin e procesit eurointegrues të Ballkanit Perëndimor”, shtoi Zaev.
Përndryshe, Samiti i BE-së në Slloveni mbahet pasi javën e kaluar agjencia Rojters duke u thirrur në burime diplomatike të BE-së shpalli se Unioni tashmë nuk mund të harmonizohet dhe të japë garanci për anëtarësimin e ardhshme të vendeve të Ballkanit. Eurokomisarja Von der Lajen e cila e vizitoi Maqedoninë dhe vendet e rajonit, i mohoi pohimet e këtilla dhe theksoi se vizita e saj është mesazh i qartë për perspektivën evropiane të rajonit.



