
U bënë tri javë nga mynxyra e Tetovës. Tri javë qëkur u shkrumbuan 14 njerëz të gjallë në strehën ku kishin vajtur të shërohen. Edhe sot pas tri javësh nga djegia e spitalit modular nuk ka as edhe një shenjë nga trazimi i ndërgjegjes së atyre që ishin drejtpërdrejt të lidhur me këtë faj.
Fushata zgjedhore i ka rrëmbyer të gjithë, duke treguar edhe një herë se qytetari për pushtetarët tanë është vetëm mjet për arkëtim votash dhe zgjatje të jetës së udhëheqjes së tyre të dështuar. Edhe një herë u dëshmua se dora e tyre drejt qytetarit zgjatet vetëm kur duhet t’ia vjedhin xhepat, ëndrrat, ardhmërinë…
Kjo është e pafalshme dhe kjo do të dënohet!
Tre nga protagonistët e ngjarjes makabre që sot duhej të viheshin para përgjegjësisë, siç janë Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, Zëvendës Ministri, Ilir Hasani, bashkë me drejtorin e spitalit Florim Besimi, jo vetëm që nuk u dënuan as moralisht me dorëheqjen e plotë të tyre, por ata edhe vazhdojnë të jenë aktivë në këtë kampanjë zgjedhore, duke u shkuar qytetarëve nëpër lagje e duke u premtuar jetë më të mirë, duke ua kërkuar votën që edhe një mandat t’i shumëzojnë me zero, apo, na ruaj Zot, në njërën apo tjetrën mënyrë, t’i shkrumojnë përsëri.
Të nderuar qytetarë,
Ne si parti politike, bashkë me ju, nuk do të lejojmë që mashtrimi të reciklohet në këtë mënyrë, të paketohet dhe të na ofrohet përsëri si të mos kishte ndodhur gjë. Ne nuk kemi për t’i harruar 14 kufomat e shkrumbuara, as dhimbjen e 14 familjeve që i humbën të shtrenjtët e tyre, as papërgjegjësinë e pushtetarëve gjatë asaj dite, po edhe sot pas tri javësh kur ende pa turp, duke qenë vetë protagonistët e dëmit, vazhdojnë fotografimin e fushatën aktive zgjedhore për turpin e tyre dhe për dhimbjen tonë.



