
Nga ajri dhe nga toka, nga rrafshnalta e Peshterit në jug e deri në Kragujevc në Serbinë Qendrore, me armë të rënda dhe me ushtarë, Serbia gjatë dy javëve të fundit demonstroi forcën e saj ushtarake që e ka në dispozicion.
Avionët rusë MiG-29, helikopterët Airbus H-145M, tanket e tipit T-72 dhe automjeteve të blinduara BRDM-2 të marra nga Rusia, dronët luftarakë CH92-A të blera nga Kina si dhe nga pajisjet e prodhuara në Serbi, u ekspozuan për publikun.
Stërvitja taktike e përbashkët dyjavore, e titulluar “Shkreptima e rrufesë” në Peshter, ka përfunduar dhe një ditë më vonë, më 28 qershor, një pjesë e armëve dhe pajisjeve të tjera u dërguan rreth 200 kilometra në veri, në Kragujevc, në Serbinë Qendrore.
Forca ushtarake u demonstrua para qytetarëve afër parkut memorial “Shumarice” në Kragujevc, që është ndërtuar për të kujtuar 2.796 civilët e pushkatuar më 1941 gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mesin e të cilëve ishin edhe 300 studentë dhe profesorë të gjimnazit të parë të kësaj komune.
E ashtuquajtura “Dita e Hapur” në Kragujevc, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ishte ngjarja më e madhe e këtij lloji që është mbajtur deri më tani. Ajo u mbajt më 28 qershor, kur serbët shënojnë Vidovdanin, festën kombëtare në kujtim të Betejës së Kosovës, e cila u zhvillua më 28 qershor të vitit 1389.
Që nga fillimi i vitit, Serbia ka shfaqur shtatë herë armët dhe pajisjet ushtarake përmes stërvitjeve ushtarake, thuhet në të dhënat e publikuara në ueb-faqen e Ministrisë serbe të Mbrojtjes.
Vuçiç njoftoi për investime të reja në ushtri
Gjatë demonstrimit të armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç njoftoi se ushtria do të vazhdojë të pajisjet me armatim të ri.
“Shumëçka do të marrim vitin e ardhshëm, gjë që do ta bëjë ushtrinë serbe dy herë më të fortë sesa është sot”, deklaroi Vuçiçi në Kragujevc.
Ai shtoi se “nuk guxoj të flas për blerjet e reja (të armëve dhe pajisjeve ushtarake) deri në janar ose shkurt” të vitit të ardhshëm.
Njoftimi për blerjet e reja të armëve dhe pajisjeve ushtarake vjen një vit e gjysmë pasi vetë Vuçiçi tha se Serbia do të ndalojë blerjen e armëve dhe se “ushtria do të modernizohet”.
“Ne do të synojmë reforma shtesë në ushtrinë tonë, me qëllim që ta bëjmë atë më të lëvizshme dhe më të shpejtë. Kjo nuk nënkupton blerje armësh, përkundrazi”, kishte deklaruar Vuçiç në dhjetor të vitit 2019.
Mesazhe nga rrafshnalta e Peshterit
Më 27 qershor, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha se stërvitja “Shkreptima e rrufesë” në poligonin e rrafshnaltës në Peshterit ishte “një mundësi e shkëlqyeshme për të kontrolluar kapacitetet operacionale të komandave dhe njësive të ushtrisë serbe”.
“Stërvitja gjithashtu tregoi se sa është investuar në pajisjen dhe armatosjen e njerëzve tanë”, tha Stefanoviq.
Vuçiç deklaroi në Peshter se Serbia “nuk është e interesuar për ndonjë luftë apo konflikt”, por është “duke forcuar ushtrinë për qëllime të mbrojtjes”.
Në përgjigje të pyetjeve të REL-it, Ministria e Mbrojtjes tha se qëllimi i stërvitjes ushtarake në Peshter ishte që të paraqesë forcën që ka ushtria serbe “për t’iu përgjigjur sfidave, rreziqeve dhe kërcënimeve ndaj sigurisë së shtetit”.
Sipas ministrisë, “më shumë se 2.300 pjesëtarë të njësive të ushtrisë, forcave ajrore dhe mbrojtjes ajrore, brigada e 72-të e operacioneve speciale dhe brigada 63 e parashutave” morën pjesë në atë stërvitje.
Nga kjo ministri shtuan se ushtria e Serbisë ka shumë pajisje, që janë blerë nga Bashkimi Sovjetik dhe gjatë dekadave të fundit nga Federata Ruse.
“Nga pajisjet ushtarake që janë blerë kohëve të fundit nga Federata Ruse, më 27 qershor, në Peshter u shfaqën tanket T-72 MS, automjetet luftarake BRDM-2M, sistemi i mbrojtjes ajrore ‘Pancir’ si dhe helikopterët Mi-17 dhe Mi-35. Ndërkaq, nga pajisjet e blera nga Republika Popullore e Kinës (në këtë stërvitje) u prezantua droni i tipit CH-92”, tha Ministria e Mbrojtjes./REL



