LajmeMaqedoniTopLajm

Grubi- Gir: Nuk ka individë apo institucione të paprekshme kur bëhet fjalë për sundimin e së drejtës

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot ka pritur në takim ambasadorin dhe shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian, Dejvid Gir.

Siç theksohet në kumtesë, mbështetja për proceset e zhvillimit dhe integrimit të Republikës së
Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian me theks të veçantë avancimin e mëtutjeshëm të proceseve reformuese dhe politikave të dialogut dhe qëllimeve strategjike të shtetit, kanë qenë vetëm një pjesë e bisedës mes tyre.

“Procesi i Regjistrimit ishte një nga pikat tjera që u diskutua sot mes Grubit dhe Girit, proces ky shumë i rëndësishëm për vendin, ku zëvendëskryeministri i parë e njoftoi atë se Regjistrimi i popullsisë vazhdon edhe më tej në diasporë, kurse në muajin shtator i njëjti do të realizohet edhe në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me përkrahjen edhe të opozitës dhe shoqërisë civile”, thuhet në kumtesë.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi dhe ambasadori evropian Gir kanë shkëmbyer mendime edhe rreth aktiviteteve që po ndërmerr Qeveria por edhe institucionet tjera përkatëse në reformat administrative në institucione të ndryshme për një administratë më efikase dhe shërbime më të mira ndaj qytetarëve nëpërmjet ndryshimeve ligjore që tashmë janë draftuar me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe shpejtë do të dërgohen në Kuvend.

“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit si dhe sundimi i së drejtës në bashkëpunim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë kanë qenë poashtu pjesë e bisedës mes Grubit dhe Girit, ku mes tjerave u diskutua edhe për një gjyqësor më efikas, lirinë e mediave dhe funksionin e pavarur të institucioneve, derisa kur bëhet fjalë për sundimin e së drejtës, Grubi ka theksuar se nuk ka individë apo institucione të paprekshme dhe kështu do të vazhdohet që të motivohen në punë të gjitha institucionet kompetente”, qëndron në kumtesën deri te mediat.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi, gjithashtu gjatë këtij takimi i ka thënë ambasadorit Gir se Qeveria mbetet e përkushtuar që të funksionon në mënyrë gjithëpërfshirëse, të mbaj kujdes për shëndetin dhe jetën e qytetarëve por edhe të mbaj llogari për kompanitë të cilat kanë pësuar humbje ekonomike gjatë Pandemisë, e me këtë rast e ka falënderuar ambasadorin Gir për angazhimin e tij në sigurimin e vaksinave për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku tashmë në mbarë vendin ka nisur imunizimi masiv i popullatës me vaksina të cilat arrijnë çdo ditë.

Zgjedhjet lokale, siç theksohet tutje, gjithashtu kanë qenë pjesë e bisedës gjatë këtij takimi, ku të njëjtat pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti dhe si proces janë shumë të rëndësishme për vendin.

Ndryshe, Grubi dhe Gir kanë diskutuar edhe mbi situatën politike në vend, proceset nëpër të cilat kalon Republika e Maqedonisë së Veriut si dhe nevoja e një vetëdije më e lartë nga ana e të gjithë subjekteve politike për funksionim më adekuat të Kuvendit republikan, në favor të nevojave të qytetarëve dhe implementimit të agjendës evropiane.

Related Articles

Back to top button
Close
Close