LajmeRajon

Vuçiqi e cilëson të tmerrshëm për Serbinë “non-paperin” për dialogun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “non-paperi” që u publikua nga KOHA Ditore, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, është hartuar nga dikush më i mençur se ai. Ai ka shtuar se kjo po bëhet nga dikush që ka njohuri për Ballkanin. Megjithatë, ka deklaruar se “ky non-paper” është i tmerrshëm për Serbinë.

Të hënën, KOHA publikoi një dokument që thuhet të jetë një “non-paper” i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale. Dy shtetet kanë mohuar se kanë gisht, por disa diplomatë me të cilët ka kontaktuar KOHA, pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog. Thuhet se këto përpjekje janë të mbështetura nga shtetet anëtare të BE-së dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë letër thuhet se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të lehtësojë procesin që do të çojë tek nënshkrimi i marrëveshjes ligjërisht obliguese mes të dyja palëve, me qëllim të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura në mënyrë që të përparohet në rrugëtimin evropian dhe të krijohen mundësi të reja për përmirësimin e jetës së njerëzve. Kosova nuk do të duhej të vendoste barriera tregtare ndaj Serbisë, ndërsa Serbia të respektonte status-quon lidhur me praninë ndërkombëtare të Kosovës. Të dyja palët do të duhet të respektojnë moratoriumin në skenën ndërkombëtare. Dokumenti propozonte që secila palë të respektonte sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e palës tjetër. Është paraparë edhe një “distrikt autonom i Kosovës veriore”.

“E kam lexuar në mes të natës kur isha rrugës duke u kthyer nga Brukseli. Ajo është hartuar nga dikush që është shumë, shumë më e mençur se unë, shumë dinak. E shoh se të gjithë e mohojnë, por kjo letër më ka shqetësuar më shumë se e para”, ka thënë ai. “Një gjë kyçe është në atë letër – njohja e pavarësisë së Kosovës, gjë që është e tmerrshme – këtu 90 për qind të gjërave janë më pak të rëndësishme, por më e rëndësishmja shkon për ne”.

Sipas tij, “non-paperi” është hartuar nga një grua shumë e mençur.

“Njohja e pavarësisë është e papranueshme”, ka shtuar ai, raporton “B92”

Related Articles

Back to top button
Close
Close