
Ndeshja hapëse e xhiros së 28-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut i ka takuar Renovës, që regjistroi triumf përballë Sileksit në Tetovë me rezultatin 2:1. Në minutën e 12-të Shefit Shefiti gjeti golin e parë për “gjipspunuesit”, duke avansuar ekipin e tij me rezultat 1:0. Ndërkohë në minutën e 38-të, ishte Fatjon Jusufi që realizoi një supergol për shifra 2:0, me të cilat u mbyll edhe pjesa e parë. Golin e vetëm skuadra nga Kratova e realizoi në minutën e fundit të ndeshjes, me anë të Galevskit. Ndërkohë nesër në program janë 5 ndeshjet tjera të kësaj xhiroje, me Shkëndijën që përballet me Bellasicën, Shkupi takohet me Borecin, Struga në fushë të vet pret Pelisterin, Akademia Pandevi përballet me Vardarin, ndërsa Rabotniçki do të luajë kundër Makedonija Gjorçe Petrovit. Të gjitha takimet luhen nga ora 13:00.



