Rrahja e dy punonjësve të Higjienës Komunale, reagon zv ministri i Brendshëm, Astrit Iseni

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar lidhur me sulmin fizik ndaj dy punonjësve shqiptarë të Higjienës Komunale në Shkup, pas përfundimit të festimeve për 28 Nëntorin.

Iseni ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e para pas mesnatës, ndërsa sipas deklarimeve të viktimave, sulmuesit janë prezantuar si “Komitë”. Ai ka theksuar se ekzistojnë dyshime serioze se sulmi mund të ketë motive etnike dhe se rasti do të hetohet me prioritet.

“Është e papranueshme që qytetarët, të cilët kryejnë punën e tyre, të bëhen cak i dhunës për shkak të përkatësisë së tyre etnike”, ka deklaruar Iseni.

Sipas tij, rasti fillimisht nuk ishte raportuar në polici dhe as institucioni shëndetësor ku të lënduarit kishin kërkuar ndihmë nuk kishte përcjellë njoftim te organet e rendit.

Pas paraqitjes së rastit nga vetë viktimat në Stacionin Policor “Karposh”, SPB Shkup dhe policia e këtij stacioni kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Iseni ka bërë të ditur se janë siguruar edhe dëshmitarë të ngjarjes, të cilët pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

Zëvendësministri ka paralajmëruar se do të angazhohen të gjitha kapacitetet e nevojshme policore për identifikimin e autorëve, duke theksuar se nuk do të ketë tolerancë ndaj dhunës me motive etnike.

“Ky rast nuk do të mbetet pa epilog. Çdo person që rezulton të ketë marrë pjesë në këtë sulm do të mbajë përgjegjësi para ligjit. Ligji do të veprojë. Dhunuesit do të identifikohen dhe do të ndëshkohen!”, ka theksuar Iseni.