Sheshi “Skënderbeu” në Shkup sot u mbush me ngjyrat kuqezi, në një atmosferë të jashtëzakonshme festive, ku flamujt shqiptarë, këngët shqipe dhe emocionet e festës bashkuan qytetarët në shënimin e 28 Nëntorit dhe 20-vjetorit të vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, shkruan Top24
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përmes një mesazhi të veçantë, ka rikujtuar rëndësinë historike dhe simbolike të këtij përvjetori, duke theksuar se lidhja e shqiptarëve me flamurin dhe figurën e Skënderbeut mbetet e fuqishme ndër breza.
Festës i dhanë emocione të veçanta këngët e Edona Llalloshit, si dhe interpretimet artistike të Çun Lajçit dhe Pajazit Murtishit, duke e shndërruar këtë ditë në një përjetim të veçantë kulturor dhe kombëtar.
“Njëzet vjet më parë, e festuam 28 Nëntorin duke i dhënë Shkupit Skënderbeun. Sot, e festojmë me krenarinë e asaj që kemi arritur dhe me vendosmërinë për atë që ende kemi për të arritur”, thekson Mexhiti në mesazhin e tij.
Sipas tij, 20-vjetori i shtatores së Skënderbeut është më shumë se një përvjetor simbolik; është dëshmi e identitetit, historisë dhe pranisë shqiptare në Shkup, si dhe një kujtesë për përgjegjësinë që brezat e sotëm kanë ndaj së ardhmes.
Në përfundim, Mexhiti ka përcjellë urimet për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, duke e cilësuar 28 Nëntorin si një ditë që bashkon krenarinë kombëtare dhe aspiratat për të ardhmen.Top24
Urime 28 Nëntori, shqiptarë, kudo që jeni!
Urime 20-vjetori i vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Shkup!


