Valbon Limani uron 28 Nëntorin: “Nga unë dhe gjithë Gostivari, Gëzuar Ditën e Flamurit!”

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e 28 Nëntorit, ditës së flamurit, duke theksuar lidhjen e veçantë që qyteti i Gostivarit ka me simbolin kombëtar shqiptar. Në urimin e tij, Limani thekson se për gostivarasit flamuri kuq e zi përfaqëson më shumë se një simbol kombëtar, duke qenë pjesë e historisë, sakrificës dhe përpjekjeve të vazhdueshme për liri, shkruan Top24

“Ne gostivarasit kemi një lidhje të fortë e të veçantë me flamurin tonë kombëtar. Fati e ka sjellë që ne na është dashur të luftojmë deri vonë për lirinë e tij, por sot ai valvitet sovran e fisnik, në harmoni me flamujtë e tjerë!”, shprehet Limani në mesazhin e tij.

Kryetari i Gostivarit thekson se 28 Nëntori mbetet një ditë krenarie dhe bashkimi për të gjithë shqiptarët, ndërsa flamuri kuqezi vazhdon të simbolizojë identitetin, dinjitetin dhe qëndresën kombëtare.

Në fund të mesazhit, Limani përcjell urimet e tij dhe të qytetarëve të Gostivarit për këtë festë të rëndësishme kombëtare.

“Nga unë dhe gjithë Gostivari, Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e flamurit më të bukur në botë!”