Reagime në Tetovë: Postimi i dirigjentes Jasmina Karo nxit debat për simbolet dhe traditat shqiptare

Një postim i publikuar në rrjetet sociale nga Jasmina Karo, ish-profesoreshë e muzikës në Shkollën e Muzikës në Tetovë dhe aktualisht dirigjente e Korit „Balltepe“, ka nxitur reagime dhe debat për mënyrën e trajtimit të simboleve, traditave dhe identitetit shqiptar.

Në postimin e saj, të shoqëruar me një fotografi ku shihen vajza të veshura me kostume tradicionale shqiptare, përpara një flamuri të madh kombëtar shqiptar, Karo përdor shprehje si „Primitivizëm në kulm“, „sikur të ishim shekuj mbrapa“ dhe „po e lëndoni intelektin e njerëzve shqiptarë që unë i njoh“.

Ky reagim ngre një çështje të rëndësishme: A është e pranueshme që traditat, veshjet popullore dhe shprehjet kulturore të një populli të cilësohen në këtë mënyrë?

Shqiptarët kanë të drejtë të jenë krenarë për historinë, kulturën, veshjet tradicionale dhe simbolet e tyre kombëtare. Ato nuk janë shenja prapambeturie, por pjesë e identitetit, kujtesës historike dhe trashëgimisë kulturore që përcillet brez pas brezi.

Ajo që e bën këtë çështje edhe më të ndjeshme është fakti se bëhet fjalë për një person që ka qenë pjesë e sistemit arsimor muzikor në Tetovë dhe që sot ushtron detyrën e dirigjentes së një kori që vepron në të njëjtin qytet.

Një profesionist i artit dhe kulturës duhet të jetë promovues i respektit, tolerancës dhe bashkëjetesës. Muzika dhe arti nuk kanë kufij etnikë dhe nuk duhet të shndërrohen në mjete për nënçmimin apo përçmimin e identitetit të tjetrit.

Tetova është qytet i kulturave dhe bashkëjetesës, por kjo bashkëjetesë mund të ndërtohet vetëm mbi respektin e ndërsjellë. Respekti nuk mund të jetë i njëanshëm.

Nga ana tjetër, publiku meriton një sqarim se çfarë ka dashur të kritikojë konkretisht Jasmina Karo me këtë postim dhe nëse shprehjet e saj kishin për qëllim të nënçmonin manifestimin dhe simbolikën shqiptare.

Tradita nuk është primitivizëm, identiteti nuk është prapambetje dhe krenaria kombëtare nuk është mungesë intelekti.

Arti duhet të bashkojë njerëzit, jo të krijojë ndasi dhe përçarje!