Zvicra mes sistemit francez dhe atij izraelit, Parisi ofron bashkëpunim industrial

Franca i ka propozuar kompanive zvicerane që të marrin pjesë në zhvillimin e kapaciteteve të reja për sistemin franko-italian të mbrojtjes ajrore SAMP/T NG, ndërsa Zvicra po e shqyrton atë në konkurrencë me sistemin izraelit Barak MX, deklaroi ministrja franceze e Mbrojtjes, Catherine Vautrin, në një intervistë të publikuar të premten, transmeton Anadolu.

“Blerja duhet të shkojë përtej një kontrate të thjeshtë dhe të krijojë një partneritet të mirëfilltë industrial”, tha Vautrin për gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung.

“Është plotësisht e mundur që Zvicra, me industrinë e saj të aftë, të ndihmojë në zhvillimin e kapaciteteve të reja”, tha ajo, duke përmendur si shembull integrimin e sensorëve të rinj.

E pyetur nëse Franca do të garantonte që mirëmbajtja e sistemit të mund të kryhej në Zvicër, Vautrin nuk pranoi të zbulonte hollësi të negociatave në vazhdim.

“Blerja e sistemit SAMP/T NG do t’i mundësonte Zvicrës të krijonte kapacitetet e nevojshme të mirëmbajtjes në territorin e saj dhe, në këtë mënyrë, të siguronte autonominë e saj operacionale afatgjatë”, tha ajo.

Vautrin tha se propozimet konkrete për pjesëmarrjen e kompanive zvicerane ishin tashmë në tryezë, duke iu referuar bashkëpunimit të tyre ekzistues me kompanitë e mbrojtjes MBDA dhe Thales.

“Data e dorëzimit varet nga koha kur bëhet porosia. Bisedimet në vazhdim synojnë që dërgesat e para të bëhen që në vitin 2029”.

Ajo shtoi se Franca mund të shqyrtojë mundësinë që forcat e saj ajrore të trajnojnë personelin zviceran, nëse Berna kërkon një ndihmë të tillë.