Kasami pret ambasadorin e ri të Turqisë, Alper Aktaş: Diskutohet për thellimin e bashkëpunimit në kulturë dhe turizëm

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Republikës së Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Alper Aktaş, me të cilin ka diskutuar për çështje me interes të përbashkët dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit, Kasami ka vlerësuar rëndësinë e Turqisë si partnere të rëndësishme, duke theksuar se përveç marrëdhënieve institucionale, dy vendet i lidhin edhe raportet historike dhe vlerat e përbashkëta kulturore.

Vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua mundësive për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe turizmit, si dhe intensifikimit të kontakteve në funksion të realizimit të projekteve me interes të përbashkët.

Kryetari Kasami falënderoi ambasadorin Aktaş për vizitën, duke i uruar sukses në misionin e tij diplomatik në Maqedoninë e Veriut.

Nga ana tjetër, u shpreh gatishmëria që komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Tetovës dhe përfaqësuesve diplomatikë turq të vazhdojë edhe në periudhën në vijim.