Miliona euro nga UEFA! Konfirmohet shifra e plotë që Egnatia ka arkëtuar deri tani, ia kalon Skënderbeut

Egnatia ka përfituar deri tani 4 milionë e 536 mijë euro në total nga UEFA.

“Panorama Sport” konfirmon shifrën që është e sigurt se do të rritet, ndërsa bëhet fjalë vetëm për fazën korrik-nëntor.

Fitorja ndaj Linkolnit ka shtuar financat, teksa për t’u luajtur në dhjetor janë sfidat me Kauno Zalgiris dhe Bragën.

Plot 3,17 milionë euro u përfituan për kualifikimin në Ligën e Konferencës.

Më pas katër ture kishin vlerë nga 175 mijë euro, që u përkthyen me 700 mijë euro në total.

Shifrat e tjera erdhën në katër raundet e fazës së kampionatit të Ligës së Konferencës.

Konkretisht bëhet fjalë për 400 mijë euro që solli fitorja ndaj Linkoln Red Imps.

Në anën tjetër dy barazimet ndaj Midtjilland dhe Arhus, nga 133 mijë euro, dhanë një total prej 266 mijë euro.

Me llogari të thjeshta, pa përfshirë të ardhura të tjera nga të drejtat televizive dhe komerciale, Egnatia ka përfituar minimalisht 4 milionë e 536 mijë euro.

Një rekord i ri ky nëse bëhet fjalë vetëm për shpërblimet nga UEFA, pasi as Skënderbeu nuk i kalonte 4 milionë euro më parë.

Ndërkohë bashkë me të drejtat televizive dhe komerciale, korçarët kalonin 6 milionë euro.

Tek Egnatia do të mbeten për t’u konfirmuar edhe pjesa e tyre.

Shpërblimi për Egnatian vetëm nga UEFA është i sigurt që do të rritet.

Duhet thënë kështu, pasi do të akordohet edhe bonusi i lidhur me pozicionin përfundimtar në renditje.

Një shifër e konsiderueshme që aktualisht qëndron në 448 mijë euro.

Po ashtu do të jetë edhe një tjetër shumë që vjen nga rishpërndarja e barazimeve, që deri tani llogaritet 38 mijë euro. Në përfundim të fazës së ligës, Egnatia synon që t’i ketë kaluar 5 milionë euro.

Një sezon ëndrrash për kampionët e Shqipërisë nën drejtimin e Nevil Dedes.