Halil Snopçe sfidon kryeministrin: Cili nen i Kushtetutës e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe?

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, nga foltorja e Kuvendit i është drejtuar kryeministrit me një pyetje të drejtpërdrejtë, duke kërkuar të dijë se në cilin nen të Kushtetutës mbështetet pretendimi se arsimi i lartë në gjuhën shqipe është i ndaluar.

Snopçe ka kritikuar qëndrimet dhe deklaratat, sipas tij, kontradiktore të kryeministrit, duke rikujtuar edhe deklaratat e tij lidhur me rrugën drejt Bashkimit Evropian, reagimet ndaj raportimeve të Financial Times dhe çështjen e provimit të jurisprudencës.

“Para se të interpretoni Kushtetutën, së paku lexojeni atë!”, ishte mesazhi i deputetit Snopçe nga foltorja e Parlamentit.

Ai theksoi se kryeministri nuk mund të mbajë njëkohësisht qëndrime të ndryshme, duke e akuzuar për mospërputhje mes deklaratave publike dhe parimeve që pretendon se mbron.

“Ju nuk mund të jeni edhe shoferi, edhe komentuesi i autobusit; edhe interpretuesi, edhe shkelësi i parimeve që pretendoni se mbroni!”, deklaroi Snopçe.

Në fund, deputeti i Aleancës për Shqiptarët përsëriti pyetjen që, sipas tij, kërkon një përgjigje të qartë nga kryeministri:

Cili nen i Kushtetutës e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe?

Postimi i plotë:

Snopçe i ka ftuar qytetarët që ta ndjekin ballafaqimin e plotë nga foltorja e Kuvendit.

Kryeministër, para se të interpretoni Kushtetutën, së paku lexojeni atë!
Sot nga foltorja e Parlamentit i kërkova kryeministrit të tregon se sipas cilit nen të Kushtetutës arsimi i lartë në gjuhën shqipe është i ndaluar.
Por kjo nuk ishte e vetmja deklaratë kontradiktore që jua kujtova.
Autobusi i fqinjëve, sipas jush, lëkundet rrugës drejt BE-së, ndërsa autobusi ynë ende nuk ka dalë nga garazhi. Për Financial Times sugjeruat se mund të shkruajë çfarëdo që dëshiron, pa u përballur me fakte konkrete. Edhe për provimin e jurisprudencës, qëndrimet tuaja kanë ndryshuar.
Kryeministër, nuk mund të jeni edhe shoferi, edhe komentuesi i autobusit; edhe interpretuesi, edhe shkelësi i parimeve që pretendoni se mbroni!
Pyetja ime mbetet e njëjtë: Cili nen i Kushtetutës e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe?
Ju ftoj ta dëgjoni ballafaqimin nga foltorja e Parlamentit.