Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e BE-së, raporton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe komisonerja Kos kanë mbajtur fjalët përmbyllëse në Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor që u mbajt gjatë dy ditëve në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
– Rama: Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i ri i Rritjes
Kryeministri Rama tha gjatë fjalës së tij se Ballkani Perëndimor si një horizont i ri për investime, inovacion e prodhim nuk është slogan, por është një propozim, dhe “propozimi natyrisht duhet të vërtetohet me projekte, partneritete e rezultate”.
“Gjendemi në pikëtakimin midis Adriatikut dhe Jonit, përballë me Italinë, një portë hyrëse e Ballkanit Perëndimor. Jemi aleatë të NATO-s dhe jemi drejt rrugës për në Bashkimin Evropian. Këtë vit progresi ynë u vlerësua dhe u pranua në çdo front. Kjo do të thotë institucione më të forta e një horizont solid për këdo që do të vërë bast për të ardhmen e afërt të Shqipërisë”, tha Rama.
Rama ka theksuar se Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i ri i Rritjes, sipas tij jo si nder dhe si favor, por sepse kanë bërë detyrat e shtëpisë.
“Integrimi evropian duhet të jetë diçka që qytetarët e bizneset tona të mund ta ndiejnë: qasje në tregje, mundësitë për t’u investuar, hapësirë për t’u rritur, një vend më i mirë pune. Kështu perspektiva evropiane bëhet më reale në jetën e përditshme”, tha Rama.
Duke theksuar se Evropa është në një moment vendimtar, Rama tha: “Integrimi i ekonomive tona në zinxhirët vlerorë të Evropës është një mundësi për ne dhe një investim strategjik që Evropa duhet ta bëjë për sigurinë e vet ekonomike dhe konkurrueshmërinë. Nuk mund ta zgjidhësh ekuacionin e konkurrueshmërisë së Evropës duke lënë jashtë Ballkanin Perëndimor dhe kjo është diçka që të gjithë sot e dinë.”
– Kos: Bashkimi Evropian po përgatitet që të mirëpresë anëtarë të rinj
Komisionerja Kos tha se Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave dhe mund të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit që verën e ardhshme, ndërkohë që shtoi se viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, sipas saj, nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur për reformat.
Kos tha se gjithashtu kanë parë edhe Maqedoninë e Veriut të përshpejtojë reformat në kuadër të planit të rritjes dhe të përmirësojë nivelin e përgatitjes për anëtarësimin në BE, ndërsa në Serbi, sipas saj, Lista Studentore ka fituar zgjedhjet me thirrjet e saj për transparencë, shtetin e së drejtës dhe luftë kundër korrupsionit.
“Ky moment është moment i mirë për të zgjedhur Ballkanin Perëndimor për investimet. Natyrisht që në gjithë rajonin po ndodhin zhvillime të rëndësishme, të cilat e bëjnë atë gjithnjë e më tërheqës për investuesit. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE në vitin 2013, Bashkimi Evropian po përgatitet që të mirëpresë anëtarë të rinj dhe dy vendet më të avancuara në këtë proces janë pikërisht nga Ballkani Perëndimor”, tha Kos.
Duke theksuar se po modernizojnë mënyrën se si vendet kandidate do të mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, Kos tha: “Mesazhi im për investuesit evropianë është i thjeshtë: Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Por shumë prej mundësive ekzistojnë tashmë këtu dhe ato do të shtohen me zgjerimin e qasjes në tregun unik dhe më shumë fonde nga BE-ja”.
Konferenca e Investimeve BE – Ballkani Perëndimor u organizua nën kujdesin e Qeverisë së Shqipërisë, me mbështetjen e Komisionit Evropian, duke bërë bashkë përfaqësues të institucioneve evropiane, investitorë, sipërmarrës dhe aktorë të ekonomisë nga i gjithë rajoni.


