Mbi 140 milionë denarë duhet t’u kthehen qytetarëve që janë dëmtuar nga praktikat e paligjshme të kompanive që ofrojnë kredi të shpejta. Inspektorati Shtetëror i Tregut ka konstatuar shkelje serioze gjatë kontrolleve në të gjitha 27 shoqëritë financiare të licencuara në vend.
Nga kontrollet, te 18 shoqëri është konstatuar praktikë e pandershme tregtare, ndërsa te 12 prej tyre është evidentuar arkëtim i paligjshëm i shpenzimeve për njoftime dhe vërejtje ndaj klientëve.
Për shkeljet e konstatuara janë shqiptuar gjoba nga 2.000 deri në 10.000 euro për secilën kundërvajtje.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski, ka bërë të ditur se mbi 140 milionë denarët që duhet t’u kthehen qytetarëve nuk përbëjnë shumën përfundimtare.
Kontrollet përfshijnë periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026, ndërsa hetimet dhe verifikimet për këtë rast do të vazhdojnë.


