Gadi Eisenkot, lideri i partisë Yashar, të cilit i është besuar formimi i qeverisë së ardhshme të Izraelit, të enjten ra dakord me liderin e partisë Demokratët, Yair Golan, për nënshkrimin e një marrëveshjeje koalicioni, transmeton Anadolu.
“Gadi Eisenkot, kryetar i partisë Yashar, dhe Yair Golan, kryetar i partisë Demokratët, ranë dakord të nënshkruajnë një marrëveshje koalicioni mes dy partive”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të partive, të cilën e siguroi Anadolu.
Partitë nuk i bënë të ditura kushtet e marrëveshjes.
Njoftimi vjen disa ditë pasi Eisenkot tha se kishte arritur marrëveshje me liderin e partisë Yisrael Beiteinu, Avigdor Lieberman, në kuadër të përpjekjeve të tij për formimin e një koalicioni qeverisës.
Në Izrael, marrëveshja e koalicionit përcakton mënyrën se si partitë do të bashkëpunojnë në qeveri, angazhimet e tyre dhe mënyrën e koordinimit për politikat, legjislacionin dhe votimet në Knesset, parlamentin e Izraelit.
Blloku i Ndryshimit përbëhet nga partia Yashar e Eisenkotit, Yisrael Beiteinu e Liebermanit, partia Bashkë e Naftali Bennettit dhe Demokratët e Golanit.
Ky bllok ka 48 vende në Knesset, i cili përbëhet nga 120 vende. Ai do të siguronte shumicën prej 61 vendesh nëse do të fitonte mbështetjen e partive Judaizmi i Bashkuar i Torës dhe Shas.
Partitë arabe, të cilat kanë 19 vende, kanë deklaruar se janë të gatshme t’i japin mbështetje parlamentare një qeverie të udhëhequr nga Eisenkot për të penguar Benjamin Netanyahun të formojë një qeveri të re.
Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor për të formuar qeverinë. Ai mund t’i kërkojë presidentit Isaac Herzog një zgjatje të vetme të afatit prej 14 ditësh.


