Darko Konstadinovski shkon në histori, javën tjetër zgjidhet kryetar i ri i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese do të zgjedhë të mërkurën e ardhshme, më 2 dhjetor, kryetarin e ri, më shumë se një muaj para përfundimit të mandatit të kryetarit aktual, Darko Kostadinovski, të cilit mandati i përfundon më 11 janar.

Nga Gjykata Kushtetuese kanë njoftuar se Kostadinovski, në kolegjiumin e mbajtur më 2 nëntor, i ka informuar gjyqtarët për dinamikën e takimeve dhe seancave, përfshirë edhe zgjedhjen e kryetarit të ri.

Ndërkohë, në Kuvend, Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve ka propozuar gjyqtaren e Gjykatës Themelore të Gostivarit, Teodora Eftimovska-Bojkovska, për gjyqtare të re të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Komisionit, Gjorgjia Sajkoski, bëri të ditur se propozimi vjen pas konstatimit të dorëheqjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, profesorit Goce Naumovski, më 20 korrik 2026, duke theksuar se në vend të tij duhet të zgjidhet një gjyqtar i ri.

“Me nenin 109 të Kushtetutës përcaktohet se Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga radhët e juristëve të shquar. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në seancën e mbajtur më 20 korrik 2026, konstatoi dorëheqjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, prof. dr. Goce Naumovski. Në vend të tij duhet të zgjidhet një gjyqtar i ri i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë. Në seancën e sotme, bazuar në kompetencat që ka Komisioni, propozoj Teodora Eftimovska-Bojkovskën, gjyqtare në Gjykatën Themelore të Gostivarit, për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese”, tha Sajkoski.

Sipas informacioneve të bëra publike nga Sajkoski, Teodora Eftimovska-Bojkovska është nga Tetova. Ajo ka diplomuar në vitin 1995 në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.