Deri në 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor! BE kërkon zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkan dhe përshpejtimin e reformave

Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Brukselit, riafirmuan perspektivën e anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Në Deklaratën e Brukselit, BE-ja u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat, veçanërisht në fushat themelore, duke theksuar se përparimi drejt anëtarësimit do të varet nga meritat dhe përmbushja e kushteve të kërkuara.

BE-ja kërkon nga vendet e Ballkanit Perëndimor respektimin e vlerave demokratike, sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe të drejtat e pakicave. Gjithashtu, u bën thirrje të shmangin glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit. Deklarata thekson edhe rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, pajtimit rajonal dhe zbatimit të marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë, si dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura nga e kaluara.

Komisioni Evropian paralajmëron 338 milionë euro shtesë për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si shpërblim për përparimin në reformat e Planit të Rritjes. Kryeministri Hristijan Mickoski pret që Maqedonia e Veriut të përfitojë të paktën 75 milionë euro shtesë, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm pritet të nisin bisedimet për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Përbashkët të BE-së.

„Presim të marrim një rritje prej 10 për qind nga 750 milionë eurot që tashmë i kemi përfituar. Përkushtimi mbetet. Ne jemi ata që themi se mjaft më me bilateralizim dhe çështje dypalëshe, të flasim për merita dhe rezultate. Këtë po e bëjmë edhe ne si Maqedoni. Do të luftojmë për argumentet tona dhe për qytetarët maqedonas“, deklaroi Mickoski.

BE-ja paralajmëron se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi po pengon rrugën evropiane të të dyja vendeve dhe kërkon zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. Në Deklaratën e Samitit, riafirmohet mbështetja për Ukrainën dhe kërkohet përafrimi i të gjitha vendeve të rajonit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.. BE-ja kërkon përshpejtimin e reformave në Ballkanin Perëndimor, duke vënë në dispozicion deri në 6 miliardë euro përmes Planit të Rritjes, krahas 29 miliardë eurove të Planit Ekonomik dhe të Investimeve. Në Deklaratën e Samitit, theksohet se përfitimi nga këto fonde varet nga zbatimi i reformave dhe kërkohet heqja e pengesave tregtare, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe përfundimi i projekteve të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë Korridorin VIII.