Mickoski: Pagat dhe pensionet rriten më shpejt se shpenzimet, inflacioni në Maqedoni është ndër më të ulëtit në rajon

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën për pyetje të deputetëve foli për treguesit dhe shifrat ekonomike, duke i krahasuar ato me rezultatet e së kaluarës, si dhe me rezultatet aktuale të vendeve të tjera të rajonit.

“Shifrat e kësaj Qeverie janë si vijon. Kur flasim për rritjen e prodhimit të brendshëm bruto, pasi ai është një tregues për të parë nëse jeni në rrugën e duhur apo po bëni diçka gabim, nëse e analizoni atë, do të arrini në përfundimin se prodhimi i brendshëm bruto në terma realë rritet me 3,8% si në vitin 2024, ashtu edhe në vitin 2025, ndërsa në tremujorin e dytë të vitit 2026 me 4,3%. Në terma nominalë, në vitin 2024 mbi 8%, ndërsa në vitin 2025 mbi 7%. Edhe në vitin 2026 presim që të jetë sërish mbi 8%, por do të shohim. Fundi i vitit do t’i japë përgjigje kësaj dileme tonën”, theksoi Mickoski dhe shtoi:

“Duke lënë mënjanë politizimet, tani dua të flas për shifra, konkretisht për pagën reale neto. Cilat janë shifrat kur bëhet fjalë për pagën reale neto? Paga reale neto, e cila përllogaritet duke zbritur nga paga neto efektin e inflacionit të kostos së jetesës, në shtator të vitit 2026 është rritur me 5,2%. Në të njëjtin muaj të vitit 2022, kur kriza energjetike kishte përfunduar, ndërsa tani ajo ende vazhdon dhe është më e fuqishme se kur filloi në fund të shkurtit dhe gjatë marsit, kishim një rënie prej 5%. Pra, bëhet fjalë për të njëjtin muaj. Në një situatë të ngjashme, tani kemi rritje prej 5,2%, ndërsa atëherë kishim rënie prej 5%. Ky është dallimi kur krahasohen dy qeveritë.”

Në vazhdim, Mickoski bëri një krahasim të rritjes së pagës mesatare, rritjes së pensioneve dhe nivelit të inflacionit në vitin 2026, në raport me gjysmën e parë të vitit 2024 dhe periudhën paraprake.

“Rritja e pagës mesatare. Në maj të vitit 2024 ajo ishte 41.252 denarë, ndërsa në shtator të vitit 2026 ishte 49.141 denarë. Një rritje prej 20% për 28 muaj. Madje edhe shporta sindikale, sipas tyre minimale, e cila nuk është minimale, por mesatare, gjatë së njëjtës periudhë është rritur me 16%. Pra, rritja e pagës është më e madhe. Pensioni mesatar në maj të vitit 2024 ishte 21.209 denarë, ndërsa në shtator të vitit 2026 ishte 28.935 denarë. Kjo ësjtë një rritje prej 36,5% të pensionit mesatar. Më tej, sa i përket inflacionit në shtator, Maqedonia 2,7%, Shqipëria 2,9%, Sllovenia 3,3%, Serbia 4,1%, Kroacia 4,7%, Mali i Zi 4,9%, Greqia 5,1%, Bullgaria 5,6%, Kosova 7,8% dhe Turqia pothuajse 30%. Në shtator të vitit 2022, Shqipëria kishte inflacion prej 8,1%, Sllovenia 10,6%, Greqia 12,7% e kështu me radhë, ndërsa Maqedonia ishte e parafundit me 18,7% dhe Turqia kishte inflacionin më të lartë, prej 83,45%. Mund të flas edhe për shumë tregues të tjerë, por koha është e kufizuar. Dallimi është i qartë dhe i dukshëm”, përfundoi Mickoski.