Në hapësirën e ish-fabrikës “Treska” në Shkup po ndërtohet një kompleks i ri banesor, për të cilin Komuna e Qendrës deri më tani ka lëshuar 11 leje të vlefshme ndërtimi. Disa prej ndërtesave tashmë janë në fazën e përfundimit të fasadave, ndërsa banesat janë nxjerrë në shitje dhe reklamohen si kompleks luksoz në qendër të qytetit.
Sipas planit urbanistik në fuqi, hyrja dhe dalja e banorëve të rinj do të realizohet përmes rrugës “Vladimir Polezhanovski”, e cila është e ngushtë dhe aktualisht mezi mundëson kalimin e dy automjeteve. Me shtimin e numrit të banorëve dhe automjeteve, pritet të rritet edhe ngarkesa e trafikut në këtë rrugë.
Plani parasheh gjithashtu vazhdimin e rrugës “Borka Taleski” përmes kompleksit, me dalje në rrugën “Ruzveltova”.
Komuna e Qendrës kishte kërkuar edhe hapjen e një lidhjeje rrugore me bulevardin “Teodosij Gologanov”, me mbështetjen e Qytetit të Shkupit, por kjo zgjidhje nuk është miratuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Në kompleks nuk është paraparë ndërtimi i një kopshti për fëmijë.
Ndërtimi i kompleksit nisi në vitin 2023, ndërsa zhvillimi i këtij projekti ka nxitur debate për urbanizimin, hapësirat e gjelbra dhe infrastrukturën në qendër të Shkupit.


