Deri në 15 vjet burg për abuzimet me prokurimin publik! Drafti i Kodit të ri Penal parashikon vepra të reja penale

Dënim me burg deri në 15 vjet për abuzimet që lidhen me prokurimin publik, koncesionet dhe partneritetet publiko-private, parashikon Drafti i Kodit të ri Penal, i cili u prezantua në dëgjimin e parë publik në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Propozimi synon harmonizimin e legjislacionit penal me standardet evropiane dhe përfshirjen e veprave të reja penale, veçanërisht në fushën e financave publike dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Kemi precizim të dispozitave ligjore të Kodit Penal, e të sanksioneve penale, parashihen edhe vepra të posaçme penale që më herët nuk kanë qenë. Bie fjala vepra e re penale ‘Keqpërdorimi i furnizimeve publike’ që më herët nuk ka qenë, prandaj e theksoj se mjetet publike kërkojnë transparencë dhe parandalimi i keqpërdorimit të parasë publike është një nga qëllimet e Kodit të ri Penal”, tha Jeton Shasivari.
Akademiku Vllado Kambovski ngriti çështjen e afateve të parashkrimit, duke propozuar që për veprat e kryera nga zyrtarët më të lartë shtetërorë, afati të lidhet edhe me përfundimin e mandatit të tyre.

“Ne kemi afate të gjata të vjetrimit të lëndëve krahasuar me legjislaturat tjera që bëjnë ndjekje efikase të organeve hetuese, kryerësve të veprave penale, për t’ju mundësuar ti ndërmarrin aktivitet hetuese për zbulim dhe ndjekje. Bie fjala, në rastet më të rënda për keqpërdorim të detyrës zyrtare afati i vjetërsimit është 20 vite nga kryerja e veprës…. Ndërkohë duhet të harmonizohet edhe Ligji për procedurë penale, bie fjala, në raport me këto vepra penale sepse reflekton direkt në procedurat penale sepse për këto çështje të zbulimit dhe hetimit duhet të masa të posaçme hetimore. Përveç atij ligji duhen edhe gjëra tjera”, tha Vllado Kambovski
Kodi i ri pritet të zëvendësojë Kodin Penal të vitit 1996, pas pothuajse tri dekadash. Drafti i është dorëzuar Komisionit Evropian dhe është publikuar në platformën ENER për komente dhe sugjerime. Pas debatit në Shkup, konsultimet publike do të vazhdojnë në Gostivar, Shtip dhe Manastir.